Me kërkesën e subjekteve politike, Kuvendi Komunal i Gjilanit, ka diskutuar të enjten gjerësisht për gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena”, e cila prej vitit 2012 funksionin në partneritet publiko-privat, por ku kohëve të fundit ka pasur greva të punëtorëve, të cilat kanë reflektuar në kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve. Partnerët fajësojnë njëri-tjetrin për mos përmbushje të obligimeve. Ata mbajtën qëndrimet e tyre edhe në këtë seancë.
Pas një debati të gjerë, ku u dhanë edhe propozime të ndryshme për të tejkaluar situatën në të cilën ka rënë kompania, siç ishte formimi i një komisioni nga të gjitha subjektet politike, i cili do të quhej komision lehtësues (Sahit Abazi –PDK) ose komision hetimor (Fehmi Sylejmani – LVV), dhe të tjera, Kuvendi Komunal miratoi propozimin e shumicës, ku kërkohet zgjedhja e një ushtruesi të detyrës së drejtorit ekzekutiv, kthimi në punë i të gjithë punëtorëve të larguar si dhe njëkohësisht vazhdimi i bisedimeve mes partnerëve, deri në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme.
Duke i ditur raportet në këtë kompani, kryesuesja e Kuvendit, Valentina Bunjaku-Rexhepi, që në hapje të seancës kërkoi nga këshilltarët që të jenë të arsyeshëm në debat dhe në fund të dalin me një propozim të përbashkët për tejkalimin e gjendjes.
Agim Zuzaku, drejtor për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se partneri privat nuk e ka respektuar kontratën sa i përket investimeve dhe mbajtjes së punëtorëve në punë, sikurse nuk i ka respektuar as tri pikat e marrëveshjes me Komunën, që ishin arritur ndërmjet partnerëve, në fund të vitit të kaluar, gjatë grevës së punëtorëve.
Pos që nuk i ka përmbushur obligimet për 1.5 milionë euro investime, sipas kontratës, partneri privat e ka shkelur edhe ligjin e punës kur ka vendosur të mos ua vazhdojë kontratat 17 punëtorëve, me arsyetim se nuk ka nevojë, ndërsa nuk e ka pasur këtë të drejtë, ka thënë ai.
Përkundër kësaj, Zuzaku ka thënë se Komuna e Gjilanit, edhe më tutje e favorizon gjetjen e një zgjidhje miqësore për problemin, sepse nuk është e interesuar për shkëputjen e kontratës, por insiston në respektimin e saj edhe nga partneri privat.
Xhelil Jetishi, kryesues i Komisionit të Aksionarëve, ka thënë se realisht, legjitimiteti i këtij partneri ka përfunduar në vitin 2014, deri kur është dashur t`i kryej investimet sipas kontratës, ndërkaq nuk e ka bërë këtë.
Ndryshe e ka paraqitur problemin përfaqësuesi i kompanisë austriake, Gerhard Dumer, kryetar i Bordit të Drejtorëve, duke nënvizuar si sukses të pakontestueshëm të tyre rritjen e të hyrave nga viti në vit, në një periudhë kur kanë pasur probleme të bashkëpunimit me partnerët komunalë, janë përballur me borxhet e vjetra si dhe nevojën për riorganizimin e kompanisë.
Ai, po ashtu mohoi të jetë zvogëluar numri i punëtorëve në kompani, duke thënë se nëse dikush është larguar për arsye të ndryshme, ai vend është plotësuar me persona të tjerë. Sipas tij, problemet kryesore kanë ndodhur vitin e kaluar kur ndodhën grevat e punëtorëve dhe zaptimi i kompanisë. Grevat i cilësoi të paligjshme.
Dumer pranoi se nuk janë realizuar investimet e planifikuara prej 1.5 milionë euro, por tha se as partneri publik nuk i ka përmbushur obligimet e veta. Nuk e fshehu dëshirën për të vazhduar partneritetin, por nuk e përjashtoi as mundësinë për t`u ndarë, nëse nuk gjendet një rrugë e përbashkët.
Shefat e grupimeve politike në Kuvend, kryesisht janë angazhuar për gjetjen e një zgjidhje mes partnerëve dhe vazhdimin e marrëveshjes.
Avdyl Aliu (LDK) ka thënë se duhet gjetur një zgjidhje miqësore për të vazhduar partneritetin, por duke kërkuar nga partneri privat që t`i përmbushë obligimet sipas kontratës.
Sahit Abazi (PDK) ka thënë se palët po fajësojnë njëra-tjetrën, ndërsa problemi është që ne nuk e dimë se kush i ka nisur hilet i pari. Gjendja e tashme flet për një mosbesim mes partnerëve, por fatkeqësia më e madhe këtu është viktimizimi i punëtorëve, ka thënë Abazi.
Selami Xhemajli (AAK) tha se grupimi i tyre politik rekomandon vazhdimin e partneritetit deri në afatin e përcaktuar sipas kontratës, duke iu qasur miqësisht zgjidhjes së situatës së krijuar, por e ka quajtur të papranueshëm arsyetimin e partnerit privat për largimin e 16 punëtorëve përnjëherë.
Nevzad Isufi (VV) ka thënë se ai sheh hile në të dyja anët sa i përket kontratës. Ajo që është kryesorja dhe për çka ne duhet të brengosemi ne, është se qytetarët po mbesin pa shërbime, për të cilat paguajnë fatura, sikurse që i përkrahim edhe kërkesat reale të punëtorëve, por jo edhe ndarjet mes tyre, për dhe kundër menaxhmentit, ka thënë ai.
Edhe Ismet Hajdini (G/4) ka folur në favor të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme të problemit në kompaninë “Ecohigjiena”, pa i dëmtuar interesat e qytetarëve, për çka i ka inkurajuar palët që të ulen dhe të bisedojnë mes vete.
Isa Agushi (LDK) ka thënë se ekzistojnë fakte që në “Ecohigjienë” janë bërë keqpërdorime, prandaj drejtuesit e kompanisë janë në gjyq. As unë nuk jam për ndërprerje të partneritetit, por ky partneritet nuk mund të vazhdohet më kështu, ka thënë ai.
Ibish Ibishi (AAK) ka theksuar se e keqja më e madhe është se partneri privat nuk po merr aspak përgjegjësi për gjendjen e krijuar dhe as nuk ofron zgjidhje. Sipas tij, partneri privat e ka tradhtuar partnerin publik, meqë nuk ka realizuar obligimet që i ka marrë sipas marrëveshjes.
Fehmi Sylejmani (VV) ka ngritur shumë pikëpyetje për këtë që po ndodh me këtë marrëveshje partneriteti, duke nënvizuar faktin se “Ecohigjiena” nuk është një problem që mund të mbyllet në kazanin e mbeturinave.
Bujar Nevzati (PDK) ka thënë se nuk po shihet vullnet për të zgjidhur problemin, duke konstatuar se këtu ka hile ka nga të gjitha palët. Ai është angazhuar për vazhdim të partneritetit, por edhe ka kërkuar respektim të kontratës nga kompania austriake.
Sipas Jakup Bajramit (LDK), për të zgjidhur këtë problem, nuk është i nevojshëm ndonjë komision i veçantë, por palët duhet të kthehen në fillim, për të shqyrtuar kontratën dhe për të analizuar realizimin e saj.
Këtij debati për gjendjen në kompaninë “Ecohigjiena” i kanë kontribuar edhe këshilltarët Sejdullah Kadriu, i cili ka thënë se dikush duhet të jap llogari nëse qytetarët kanë ngelur pa shërbime, Nevzad Rushiti, i cili ka kërkuar që zgjidhja e problemit në “Ecohigjiena” t`i lihet kryetarit të Komunës, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, i cili ka shprehur mospajtime me atë që deklaroi Dumer për tregun e gjelbër, ndarjen e mbeturinave dhe pagesën për mirëmbajtjen e hapësirave publike, pastaj Hamdi Sejdiu nga Këshilli i Punëtorëve, i cili tha se menaxhmenti nuk e ka respektuar ligjin bazik të punës, as vendimet e gjykatave, Muhadin Haziri, anëtar i Komisionit të Aksionarëve, i cili i ka hedhur poshtë shumicën e atyre që tha Gerhard Dumer dhe të tjerë.