Kryeta
Gjilan, 20 janar/ Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka paralajmëruar zhvillimin e një strategjie për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm në këtë qytet, gjatë një vizite që ka bërë sot në kompaninë ‘Ecohigjiena’, e cila funksionon në partneritet publiko-privat me Komunën që prej gati dhjetë vitesh.
Hyseni e ka vizituar këtë kompani me rastin e pranimit të një kontingjenti prej 3 mijë kontejnerësh për përdorim familjar, të madhësisë 120 litra, donacion nga GIZ-i gjerman.
Ai ka thënë se në kuadër të projektit për bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, nga GIZ-i gjerman sot ka arritur një kontingjent tjetër i kontejnerëve dhe tani do të diskutohet me kompaninë për mënyrën e zhvillimit të mëtutjeshëm të strategjisë së grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
‘Për aq sa jam informuar, mbulimi me shërbime në grumbullimin e mbeturinave është rreth 82 për qind dhe e njëjta gjë duhet të jetë edhe në procesin e pagesës’, ka thënë kryetari Hyseni.
Për më tepër, kryetrari Hyseni ka theksuar se me këta kontejnerë, tani komuna e Gjilanit duhet të bëhet një model i menaxhimit të mbeturinave dhe i ambientit të pastër e të mirë.
‘Ne jemi të interesuar që Gjilanin ta kthejmë në një model të funksionimit të ambientit, në një ambient ekologjik dhe të pastër dhe ky donacion i kontejnerëve është pikënisja fillestare e një strategjie të mirëfilltë e të përbashkët me kompaninë’, ka nënvizuar kryetari Alban Hyseni.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë, Senad Ramaj tha se me këtë kontingjent të kontejnerëve, tani secila familje do të ketë një të tillë, prandaj pret që një shërbim i mirë të përcillet edhe me pagesa të rregullta.