OPINION

Portale e medie lokale e qendrore, kujdes, kujdes dhe vetëm saktësi kur të raportoni

Nga Musa Sabedini – Jam tepër i shqetësuar me mënyrën e raportimit nga situatat e fundit që ndodhën në Mitrovicën Veriore. Kujdes portale, kujdes maksimal ju medie lokale në Mitrovicë. Askush nuk po ju detyron me dhënë informacione të paverifikuara dhe mos e luani argatin e djallit. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj raportoni për atë që ka ndodhur. Mitrovica Veriore është “bomba”, mbi kokat tona dhe ne duhet ta menaxhojmë urtësisht dhe me shumë kujdes.

Ngjarjet e fundit që ndodhën në pjesën veriore të Mitrovicës vërtet po më shqetësojnë shumë, edhe për mënyrën e raportimit të medieve edhe për qasjen shumë jo profesionale dhe jo etike të medieve lokale dhe qendrore.

Sidomos “shpërthimet” e fundit që po dalin të jenë “fishekzjarrë” e tejkalojnë shqetësimin tim sepse nga një raportim i tillë dashakeq dhe me shumë papërgjegjësi mund të ndodhin shumë të papritura, në atë pjesë që për Kosovën, është gjithmonë një bombë mbi kokat tona.

Tani ekzistojnë shumë mënyra se si mediet mund ta verifikojnë informacionin e plasuar. Ka burime të shumta dhe të pashtershme në këtë drejtim, vetëm duhet të jeni i vëmendshëm, i përgjegjshëm dhe shumë profesional e hulumtues, për ta sqaruar një ngjarje a zhvillim.

Janë burimet e juaja të besueshme në radhë të parë dhe janë vet institucionet e sigurisë që juve ju hyjnë në punë, për të arritur raportimin final dhe të balancuar.

Mitrovica është problematikë në vete edhe për mediet dhe edhe mënyra e raportimit na detyron ta kemi një raportim më strikt dhe më specifik. Besoj na kujtohen trazirat e marsit nga të cilat duhet të marrim shumë mësim.

Kujdes portale, kujdes ju gazetar lokal e medie lokale që ndodhni atje. Duke ofruar raportime jo profesionale dhe të pa verifikuara ju arrini të krijoni një situatë kaosi e lufte. Kjo nuk është në favorin e askujt, e aq më pak të shqiptarëve.

Andaj, shpresoj shumë që në të ardhmen raportime të nivelit sikurse të “fishekzjarrëve” të mbrëmshme nuk do të shohim në të ardhmen sepse gazetaria profesionale duhet të ketë shumë premisa dhe patjetër do të duhej të ishte në shërbim të vetëdijesimit dhe ndërgjegjësimit të publikut me atë që po ndodhë realisht.

Aspak nuk jam në anën tjetër që mos të raportohet ose të raportohet bardhë e zi, përkundrazi insistoj që raportime të ketë përherë, nga atje, por të kemi raportime të kujdesshme, të balancuara, të verifikuara dhe të argumentuara nga të gjitha palët.

Pra miqësisht dhe kolegialisht ju lus ta bëni punën e juaj me shumë përgjegjësi dhe me një përgatitje e nivel edukimi, që ju bënë të ndiheni krenar për punën tuaj.

Musa Sabedini ligjërues në degën e Media dhe Komunikimi në UBT

You Might Also Like