OPINION

MEDIAT SOCIALE SI PURO-KONSUMIM

Dr.prof. Sadete Tërnava-Osmani

MEDIAT SOCIALE SI PURO-KONSUMIM

( Për studimin hulumtues – shkencor “Etika në media sociale: RASTI I KOSOVËS” të Dr. Lirie Aliut, edituar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, 2021 )

Sot termi MEDIA SOCIALE është një ndër fjalët më të shpeshta në diskursin e çdo lloji të bisedave. Temat për rrjetet sociale dhe mënyrën e përjetimit të informatave padyshim vijnë si rezultat i zhvillimit të hovshëm të teknologjisë dhe të internetit. Në këtë rrafsh, kryefjala e referimeve në bisedat e përditshme e deri te ato akademike u referohet platformave të komunikimit që nga Facebook-u, Twitter-i, Instagram-i LinkedIn- e deri te bllogjet tjera më personale, të cilat po përdoren nga grupe të mëdha njerëzish për të shkëmbyer informacione të ndryshme, për të zhvilluar kontakte sociale dhe për të promovuar politike, letërsi e biznese.
Padyshim që këtij zhvillimi dhe rrjedhimisht ndikimi te drejtpërdrejt nëëe jetën shoqërore, nuk mund t’i ikin akademikët me punimet e tyre lidhur me ndërndikimin multidisiplinar në jetën shoqërore, politike, ekonomike dhe atë private. Kjo temë është edhe lëndë e rëndësishme ligjërimi në fakultetet e komunikimit masiv dhe ka përpjekjeje që në kuadër të rëndësisë së saj tëëe zhvillohet edhe si lëndë e edukimit medial nëpër shkolla, mu për faktin e rolit të madh edhe në çështjet etikes mediale.
Në këtë rrafsh përpjekjesh, edhe mësimdhënësja, Dr. Lirie ALIU, siç duket nuk ka mbetur në taborin e vështrueseve pasive të ndryshimeve globale, veçmas kur globalja kundrejt glokales bart anët negative në këtë të fundit. Aliu ne studimin e saj me më shumë se 200 faqe, ka bere një punë brilante, i cili mund të merret si studim sociologjik mbi trendët, arsyet, dhe ndër-ndikimet e mediave sociale në jetën shoqërore në Kosovë, e qe duke qene studim i domosdoshëm, na vjen botim- dhuratë fund-viti me titullin: Etika në Media Sociale-Rasti i Kosovës.
Përveç anës teknike dhe normativit të drejtë gjuhësor, ky libër bart rëndësinë kryesore për nder lidhshmërinë e treguesve tematikë të lëndës sepse prek thelbin e medias të shpërfaqur në rrjetet sociale, te cilën e autorja e tëhollon nga sfondi i koncepteve teorike dhe përhollimit të referencave autoriale globale e kombëtare, deri te shembujt konkretë të të gjeturave mbi rëndësinë lëndore. Autorja del përtej një kuptimi të përciptë të mediave sociale sepse i përdorë qarte qëllimet duke aplikuar teorinë e komunikimit drejt lexuesit me intencën e përgatitjes së tyre për të kuptuar se sot fatkeqësisht gazetaria si profesion, po sfidohet nga qasja dhe natyra tashmë e “rrezikshme” e mediave sociale.
Së këndejmi, libri përveç shtjellimeve referenciale të teorive, shërben edhe si referencë ligjore ngase nëpërmjet tij autorja ka përmendur dhe zbërthyer normativat ligjorë vendorë dhe ndërkombëtare, duke sugjeruar qe ky aspekt është një ndër më të rëndësishmit, meqë njohja e legjislaturës rezulton në më pak gabime dhe shkelje të kodeve etike.
Autorja Aliu, nëpërmjet temës lidhur me debatin mbi etiken, lirinë e shprehjes dhe reformat ne gazetarinë online, (f. 87), na e sjell pikërisht nevojën e domosdoshme mbi debatin lidhur me mungesën e debatit mbi këtë temë. Këtë e realizon nëpërmjet një stili të veçantë rrëfimi, dhe koherence mendimesh, nëpërmjet shembujve të etikës, konkretisht gjuhës proverbiale, te personaliteteve te mëdha siç ishte Nëna Tereze (f. 89) e deri te gazetaret publicistë të kohës së re dhe pohimet e tyre mbi njeriun e lajmeve (f.90).
Termet kyçe, si: kaosi informativ, politika, shoqëria e qeveria te vargëzuara si fjali kryesore në mbarështimin dhe ndarjen e definicionit ndërmjet mediave tradicionale dhe atyre virtuale, na ofrojnë shembuj konkretë se si fatkeqësisht sot gjithkush mund të krijojë “lajm” si mënyrë e lehtë e dominimit të parasë mbi informacionin. Sot individi, grupi, klasa, gjinia, krijojnë media virtuale pa detyrim ndaj shtetit dhe pa investim te madh, ngase vetëm një celular mjafton ta bëjë dhe zhbëjë lajmin.
Në një vështrim ndaras, autorja Aliu, prek edhe çështjen e lajmeve të rreme dhe ndikimit të tyre në shëndetin publik, duke aluduar që ky tabor lajmesh prek shumëdimensionalen shëndetësore, qe nga mirëqenia mentale deri destabilizimi politik dhe ai ekonomik. Si i tillë, leximi i faqeve 110-120 mund të shërbejë si një mini-kurrikulë model për lëndët e edukatës qytetare duke u përpunuar dhe përshtatur në varësi të nevojave te nxënësve deri te një gazetari civilizuese.
Aliu ka bërë punë solide nëpërmjet hulumtimit sasior dhe cilësor duke përfshirë një mostër te madh prej 8 komunash dhe teknika te ndryshme hulumtimi, me anë të fokus grupeve duke na sjellë shembuj të shkeljeve të konfidencialitetit nga ana e mediave dhe keqinterpretimit e publikut.
“Zhvillimi i madh i teknologjisë që me vete bart pozitiven dhe negativen, nuk e përjashton as Kosovën nga ky rrafsh”, përfundon autorja. Me këtë pohim do te pajtoheshim duke theksuar se etika dhe dezinformomi nuk orkestrohen, sidomos nëse përpjekjet negative të qëllimshme përdoren për të çorientuar apo manipuluar publikun, sepse ardhja në nivelin e një piratërie moderne duke gjuajtur njerëz si peshkun nëpër dete e oqeane paraqet shkelje etike dhe humbje të shijes estetike shkrimore dhe verbale. Tashmë paradoksi është shfaqur dhe ne duhet të përballemi me të, ne rend te pare në arsim, ne diskursin politik, kudo ku dezinformatat janë të përhapura, përpara se të bëhet krizë e vlerave shoqërore dhe kërcënuese për demokracinë veç te brishtë në Kosovë. Në luftë kundër kësaj dukurie, na ndihmon shume edukimi medial, siç po e bëjnë edhe departamentet e gazetarisë, dhe po ashtu leximi i analizave shkencore dhe publicistike me vlere siç është libri i autores, Dr. Lirie Aliu, Etika në Media Sociale-Rasti i Kosovës.

_________
( Vështrim i lexuar gjatë përurimit të këtij libri, mbajtur në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit, më 24 dhjetor 2021, në sallën e KK të Vitisë )

You Might Also Like