Gjilan, 7 dhjetor 2022 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli” e kanë pasuruar me libra të rinj në vlerë prej 10 mijë euro.
“Pas digjitalizimit të bibliotekës së qytetit, ku lexuesit me skanimin e një Barcode mund të marrin titujt e librave që ndodhen në fondin e bibliotekës dhe shërbimet tjera të nevojshme, tani atë e pasuruam me libra të rinj në vlerë prej 10 mijë euro për sektorin shkencor, atë të rriturve dhe të fëmijëve”, ka thënë kreu i Gjilanit.
Për më tepër, kryetari Hyseni është shprehur se nga afër panë edhe funksionimin e sistemit elektronik të menaxhimit të lexuesve, si biblioteka e parë në nivel vendi që kaloi nga regjistrimi manual në atë digjital.
“E kemi zotim dhe obligim institucional investimin në zhvillimin e kushteve të nevojshme për të lehtësuar qasjen në literaturë digjitale dhe tërhequr vëmendjen drejt librit, si burim i pazëvendësueshëm i dijes”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.