KY TREGIM U VLERËSUA ME ÇMIM TË DYTË NGA JURIA E “FLAKËS SË JANARIT”, GJILAN, 2023
ZBARDHËLLIMË
…po mërdhija ta zija që në fillim fiksimin, pastaj ardhjen e fiksimit në gjendje të lëvizshme, sikurse në trajtën e parë. Jep e merr trajta tjera, por ajo e para nuk më vinte… Djaloshin që më erdhi nga ëndrra, ajo disi ma pikturoi të tillë të tërin të mbështjellë nga joshja, ashtu, sipas të vetës, si një figurinë krejtësisht e avullt, vegim shndërrues pamjesh, tipare bulëzuese. Si duket rrënjët e shfaqjes Tij ishin nga zhgjëndrra; nga ajo zhgjëndërr, që sa vjen e më largohej e, ishte thadruar thellë-thellë dhe kaherë në një skutë të ndërdymes. Nga avulli ishte bërë lëndë e figurës prej njeriu që bredh, sa andej-këndej, gjithnjë në gjendje bredhërije, duke mi lënë sytë tatua të vizatuar në pëlhurën e bardhë të kujtesës. Kujtesa nuk ia kishte fshirë ngjyrën e, koha dhe dielli e shlyejnë secilën ngjyrë. Ishte çasti i kapjes së drejtpërdrejtë i Figurës dhe, mërdhija jashtë jorganit me ëndrrën që më avullohej e, nuk ishte diç që kapej me dorë e konservohej… Ajo sapo kishte lënë gjurmët e saja në mua… Nuk e dija se si u ndodhëm aq afër; afër ëndrrës dhe simpatisë Tij? Porse e kisha atë simpati të bardhë si bora, por jo të ftohtë si borë e kristalizuar. Ndoshta për aureolën, që i shfaqej veçse në përfytyrimet e mia dhe, përpos meje nuk ia shquante tjetër kush, më lindi simpatia për Djaloshin, sikurse për një vashë drithëruese, e cila rëndom di të jetë ethe-shtuese. Ishte simpati, që nuk jepte shkëlqim së largu dhe, ma solli pranë sita e ëndrrës, së cilës dukej se po i rridhte. Athua do t`i rrjedh më tej?… Nuk ishte simpatia që shuan epshe, porse shuante kureshtje; kureshtje të bardha pa prapavija të zeza ose të kuqe, vetëm kaltërsi e pafund, sikurse bluza e Tij. Kureshtja ishte shtytje për shuarje të kërshërisë. Vallë, sitës së ëndrrës i kishin rrjedhur të gjitha ngjyrat tjera? Vetëm e bardha nuk formonte figura. Krejt i grishur mëtoja t`i dëftoja diçka: se jam me Ty, se jam si Ti, se… E thash për unin tim, ngaqë nuk ma lejonte censura e unit t`i thosha Atij se jam sikurse Ti. Mbase Ai do të më kuptonte se çfarë jam? Ndoshta nuk priste të më kuptonte nga fjalët, por, nga diç përtej fjalëve, nga diçka që do të më ngarkonte më pastaj? Nëse do të më ngarkonte? Por, a do të më ngarkonte? Krejtësisht, kur po shuheshin shkëlqimet e aureolës Tij, ashtu si e përfytyroja nga larg, më bëhej se Ai dha shenjën, që e priste dëftimin tim? Filluan të më mungonin fjalët dhe të më shfaqej vogëlsia. Velloja që mbulonte të përbashkëtat fiktive nuk ishte një zhguall i trashë. Kishim veshjet e rëndomta në atë qark të praruar. Diçka kishte shpëtuar nga ëndrra dhe e kapi intuita. Ai kishte edhe një veshje tjetër pas së cilës gjakoja. Ishte krejtësisht tjetërsoj veshja e Tij, e cila veçse me shikime na përkiste dyzash.
Ai, supozoja të thoshte:
– Je një enigmë e pazbërthyer! – Pastaj të shtonte:
-E përbashkëta jote me timen doemos do të ishte jona nëse kalon nëpër përtrollitje…
Nuk qe mister por, sikur po e shqyenim uverturën brenda nesh. Gjithnjë, një sy i përgjimit i sillej “rrotull.” Ai sy ishte mes meje dhe Atij!
***
Ende po mërdhij në pizhame. Tavolina e dhomës time nuk më ngrohte. Rrobat e ditës në karrige mi kishte fërfëlluar era e ëndrrës! E ndjeja në palcë të ftohtët e fund-dhjetorit. Zhgjëndrra shtrinte duart t`ia paloste pamjen ashtu si e kishte parë vet; t`ia shthurte mbresën ekzotikes së ëndrrës, diku në një raft pa kontur, me pleksje ngjyrash, pa shijen e saj të përcaktuar. Ajo erdhi e beftë me pamjen e asaj veshjeje, së cilës mëtoja t`ia kërkoja shkëmbimin… Nuk e dija a mund t`ia përshtatnim njëri-tjetrit shijen, madhësinë, stilin e madhështisë, e veshjeve të padukshme në trurin e Tij?
Ishte zgjuar edhe engjëlli im dhe, ndonëse prisja ndonjë këshillë engjëllore, më sillej vërdallë ftohtësia si sqep shqiponje, që me sqepin e saj shponte nyjat, indet dhe, dyert e poreve nuk e prisnin dot. I kishte hapur papritur shqiponja ajrore, përderisa ende më mbante nxehtësia e përshtypjes, ngase njëherë të vjen dhe të ikën vera kah dera… Ajo i pjek frytet dhe po nuk i vole kalbëzohen në degët e asaj peme të pikëlluar. Doja ta shtrija qenien time në verën e Djaloshit…
Ëndrra me prejardhje zhgjëndrre më sillte vetëm një të katërtën e pamjes. Vijat e fytyrës duhej t`ia lypja në magjinë e farfuritjeve, po ashtu ngjyrën e syve të Atij Djaloshi me aureolë. Përgjatë këtij shpalimi tingujt e kitarës kishin rrjedhur mbi barin e etur, madje i mungoi dhe kitara varur në qafë e gjoksin e Tij polen pranveror. Merrej me mend se një kitarë tjetër fryme ia trajtësonte tingujt kësaj, të cilën ia shihja krahaqafë; ajo kitarë, që, me dridhje tingujsh bleronte pamjet. Sërish desha t`i thosha diçka engjëllit, porse një dorë e gjatë harrese e shqyente fletën e shkruar në kujtesën e brishtë e, më pezullohej si lexim! Megjithatë, më rrinte pezull dhe pezullimin e shtrydhja si lule shtrydhe, aq fort derisa të rrjedhke musht, pika, pika të kuqe. Pikat e shtrydhjes i shkonin për shtati kristalizimit të lëngut në kallnor. Përsëri mblidhej e dendësohej kujtesa, derdhte shiun e një pikëllimi dhe, sikurse rètë shpërndahej kaltërsisë e rrezeve tej shpuese.
***
Qenia ime ishte fushë e reve mbi të cilën reshnin shira të ftohtë, mllefe breshërimash, kallkan, borë e përgjakur dhe shtatore akujsh. Çfarë kishte reja e zbrazte mbi fushën time. Rrëketë e kumtit të Kallnorit shtresojnë akullin e kujtesës. Erdhi bardhësia e ditës dhe abazhurit mbi tavolinë ia ngufati atë copëz zbehtësie, sikurse një ylli në qiell, të cilit i është shpenzuar cikli i dritë-dhënies dhe, mandej bie në vartësinë e dritë-marrjes. Cilin yll më të afërm do të duhej piketuar, meqë i deritashmi u shua?
Përbri më priste shtrati për kthimin e gjumit të mërguar. Mbi shtrat më ishte fiksuar Figura e mbuluar me qefinin e bardhë! Reflektoi uni:
-Së shpejti mund të jesh në radhë!
Vishem së jashtmi me të trasha pasi zhgjëndrra mi ktheu veshjet e varura sapo të lara. Në brendësi më shtresohej ftohtësia. Ftohtësia e të bardhës së qefinit! Shikimet më ishin zhytur në një vegulli të zbrazët të papërcaktuar, shkriheshin e treteshin në zbrazësi. Vrujojnë përsiatjet për aktin e qefinit. Tashti nga shikimet e papërcaktuara, ato energji kthehen e mbërthejnë gjësende përreth qenies, përqark të qenët i gjallë. Isha thelluar në vorbull habie për shpirtin, që më jep gjallëri dhe, vazhdimisht lyp ngrohtësi. Shpirtin që do të më lerë korube! Shpirtit nuk i dihet shuarja, porse ajo shuarje e këtij shpirti, që perceptoi mrekulli dhe trishtime, është më afër se këmisha e veshur në trup; ndonëse gjëma ende duket e largët, sa ka nisë me çdofarë pikash të imta të heshtura të saj dhe, e cila sa vjen e rritet. Parandjenja e gjëmës më mbinte kudo, si një gufim bari në stinën e gufimit Tij. Tash kur engjëlli i gjumit më ishte robëruar diku, pashmangshëm hahesha me copëza e copa përsiatjesh, gjësendesh të plota e gjysmake, të pa përqendruara në një pikë, në një motiv, por të fragmentuara, që nuk ma rrumbullakonin asnjë koncept. Gjuha ishte e vogël për t`i kapur, për t`i renditur në gjymtyrë, formë e përmbajtje, mandej të ishin të pajtueshme me gjakimin tim; andaj përshkohej me mallëngjim e lot hullive të pleqërisë.
Kaosi i përsiatjeve sa niste të prekte mëtimin, shtyhej objekti i prekjes, e shtynte përsiatja tjetër, kuptimi mbetej i papërmbushur ose i copëzuar. Gjithfarë gjësendesh ngërthenin absurdin, gjendje të pangjyrshme ose të ngjyrosura me ngjyra, të cilat nuk i perceptonte dot dioptria ime. Vetëm tashti e kuptoja se sa e vogël ishte vetvetja ime… Kësaj hapësire afektohem: pse intuita nuk i katruaka sytë mendjes, por ia lënka vetëm shikimeve?!
– Sa e paskam dashur shkëlqimin e Djaloshit me aureolë! – Pohova për dytëshorin dhe shfryva ndjenjën:
– Edhe pas tridhjetë vjetësh ai shkëlqim nuk është shuar në mua! – Përforcoja pohimin e parë.
– Mirëpo, Reflektuesi vetëtimthi po zhbëhej, po mbulohej prej një hijeje, të cilën nuk e perceptojnë kokat e sivëllezërve, madje as dhe bija bastarde e Tij.
– A s`më thua? – Lypi tumirje dytëshori.
Pa një, pa dy i them:
– A bën të ta falë heshtjen si dhuratë ore dytëshor, mos e ço tutje?!
***
Universet nuk kanë kufij dhe kjo më trishton! Kufij mbi kufij i vëmë yllit tonë, ngaqë e kemi mundësinë e përkohshme të absurdit, derisa të shuhemi; mozaikë thurur me pezhishkë merimangash, rrjeta për Diellin nën ozonin e shqyer, për të cilin nuk kemi as harrna, as pè, as gjilpëra që ta arnojmë!
Kisha harruar se kam peshë trupore dhe, këmbët e bartnin fiziologjinë e anatomisë me grykat e përpirjes dhe të qitjes jashtë. I shtriva gjymtyrët e strukur në vetminë e dramës pa dialog, por me një heshtje shurdhuese. Ajo më gërryente me seancat e bezdisshme, me goditje çekani dhe peshoren pa barrë për matje. Simbolikë anti-simbolike! E mira e krejt kësaj lidhjeje të tëholluar, ishte peri që tërhiqej e nuk këputej. Seancave të këtilla u mungonte publiku, kot i mëshonte çekan tavolinës së zezë kryesuesi i seancës të radhës.
***
– Çka më thua për mitin e amshimit? – Pyeta dytëshorin:
– Desha të ta them se amshimi nuk është mit.
– Çka mund të jetë pra, bota e amshimit?
– Është det i iluzioneve për mitet e të gjallëve.
– Mos deshe të thoshe është një deti pa ujë?
– Ç`tu desh përfytyrimi për amshimin? – Pyetja kishte dalë prej shinave të logjikës.
Përfytyrimin për amshimin ma solli qefini i bardhë mbi Djaloshin me aureolë.
Një qetësi morti u shtri mes nesh.
Rraskapitje. Ngrysje për gjithçka kalimtare deri në mosqenie, deri në kalbëzim, deri në grimcë… Përpirje prej kohës, hapësirës dhe tërbimit njerëzorë!
Mendoja derisa isha ende esëll, pa më rënduar deriçkat e kapakëve mbi dy liqenet, që mbyllin gjithçka të dukshme: mos vallë në këso përsiatjesh u kapërthyeka koncepti për ontologjinë? Krejt ecejaket, bredhërija ime, e Atij, e të tjerëve pas Tij, i mbërthyeka ontologjia dhe, ne qenkemi veçse episode të universit ontologjik…
Fiziologjia e deriçkave sapo pritej t`i lëshonte dorëzat e avujve mbi sytë liqenorë, të cilat, pothuajse, nuk mbaheshin pa u shtrirë syprinës së liqeve të dritës.
Veta e dytëshorit shkrepi kumtin e rëndomtë:
– Gjumi i shporrur është kafshatë e amshimit.
– Pra, amshimi qenka goja e përhershme tejet vigane e gjumit, që gëlltitka kafshatë pas kafshate, panumëruar…
All reactions:
28Sami Selishta, Ardian Azemi dhe 26 të tjerë