Futboll

Hajrush Latifi ishte ndër portierët e parë e të dalluar shqiptarë të Kosovës

Hajrush Latifi, portier C.Zvezda Gjilan 1970/80

Hajrush Latifi – ndër portierët e parë e të dalluar shqiptarë të Kosovës
Ishin vitet e para të 70-vjeteshit të shekullit të kaluar kur për herë të parë dëgjova për Hajrush Latifin. Duke pasur interesim të madh për futbollin dhe duke lexuar atëherë në gazetën „Rilindja“ përbërjet e ekipeve të Kosovës, nuk hasje shpesh në emra të futbollistëve shqiptarë që mbronin ngjyrat e klubeve me renome të Kosovës. Sidomos kjo ishte më e rrallë për portierë. Portierët shqiptarë në ekipet e mëdha të Kosovës numroheshin në gishterinj. Porse në përbërjen ekipit C. Zvezda të Gjilanit me binte në sy emri i portierit Latifi dhe përherë nga gazetarët e „Rilindjes“ vlerësohej më nota të larta. Pak më vonë ia mësova edhe emrin – ishte ai Hajrush Latifi, portieri standard i KF C. Zvezda të Gjilanit në vitet e 70-ta e 80-ta.
Vetëm kur të mendosh se ishte portier standard në ekipin e tij, ku jo vetëm C. Zvezda, porse edhe ekipet tjera të Kosovës përbëheshin krejtësisht nga futbollistët serbë, duhet ta kuptosh se bëhet fjalë për një portier shumë cilësor. Bie fjala në atë kohë, të rralla ishin klubet e futbollit në Kosovë që kishin portierë shqiptarë, hiq Esat Mehmetin, që ishte i afirmuar në mbarë ish-Jugosllavinë, pastaj diç më vonë Neshat Zhavelin e ndonje tjetër shumë të rrallë, bile KF Prishtina nuk mbahet mend që në atë kohë ndonjëherë të kishte portier shqiptar.
Hajrushin pastaj edhe me mirë e njoftova në Gjermani. Ai ishte vendosur në rrethinen e Stuttgartit dhe përkundër largësisë (unë në Frankfurt) takimet në manifestime të ndryshme dhe në ndeshje të futbollit nuk ishin të rralla. Sa herë takoheshim bisedonim për futbolin e asaj kohe në Kosovë. Evokonim kujtime të ëmbla por edhe të idhëta. Hajrushi ishte i fjalës dhe i punës. Ai punoi në disa skuadra këtu në Gjermani si trajner i futbollit. Ishte trajner edhe në SC Drita Kosova Kornwestheim. Kudo që ishte la përshtypje të një punëtori të madh, të një njohësi të futbollit.
Me Hajrush Latifin mund të bisedoje shumë për futbollin. Ishte njeri i marrëveshjeve dhe i zgjidhjes së situatave. Ishte përkrahes i aktiviteteve të klubeve shqiptare të futbollit në Gjermani. Ishte gjithmonë në anën e FFSHGJ-së. Ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij. Për këtë ndikuan edhe prijësit e SC Drita Kosova Kornwestheim në krye me Enver Muzliukajn dhe të FFSHGJ-së në krye me Ruzhdi Statovcin. Ai i çmonte dhe i respektonte organet legjitime si në futboll si në politikë. Thjesht, Ishte njeri me të cilin shumë lehtë mirreshe vesh.
Para dy viteve kur për herë të parë Seleksioni i FFSHGJ-së zhvilloi ndeshje në Gjilna kundër Seleksionit të Brigadës I të FSK-së, Hajrushi ishte aty. Sivjet me 3 gusht përseri u luajt kjo ndeshje dhe Hajrush Latifi kësaj radhe mungoi. Deri sa luhej kjo ndeshje unë mendoja për të. Mendoja se vetëm kur ta shoh duke ardhur të terreni i futbollit, së bashku me Naser Bunjakun, ngase ai ishte gjithmonë aty ku ishte futbolli. Porse pse nuk erdhi e kuptova nga letra që me shkroi i biri i tij Adri, poashtu një portier i
shkelqyeshëm që mbrojti ngjyrat e SC Drita Kosova Kornwestheim, AKV Bardhosh Gervalla Ludwigsburg e klubeve të ndryshme gjermane.
 Ai me shkroi kështu: „…. babai im, i ndjerë, kishte shumë respekt për ju. Ky ishe mesazhi i babit:  Adri u bëra gati me shku me kqyr ndeshjen te FSK Gjilan por te kafiqi Pauza u ktheva se ishte shumë nxehët dhe kohë shumë e vështirë për të sëmuarë dhe pleq. Më mbeti merak shumë me u takuar me Miftar Dragidellën, por ja që s´u bë. Ndoshta herën tjetër se si duket kjo ndeshje futbollistke është bërë tradicionale.“
Në muajin gusht të vitit 2017 Hajrushi kaloi në amshim, për të mos u takuar më kurrë, por duke na lënë kujtime shumë të mira të cilat atë do ta bëjnë të paharrueshëm.
Pushofsh në paqe miku ynë i çmuar./kryelajmi.com/
Miftar Dragidella

You Might Also Like