Libri

U promovua romani “Engjëlli” i autorit Muahrrem Elezi

Këtë të mërkurë, në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan është përuruar romani “Engjëlli” i autorit Muharrem Elezi, shkruan kryelajmi.com

Promovimi i këtij libri ka nisur me paraqitjen e Shyqeri Galicës, që është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, i cili e ka uruar autorin Muharrem Elezi, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se ky autor është anëtari më i ri i familjes së madhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Mehmetali Rexhepi, kritik letrar, ka folur për romanet e Muharrem Elezit dhe kryesisht është ndalë te romanet e mëhershëm të këtij autori, duke e cilësuar Muharrem Elezin si një shkrimtar befasues, i cili përnjëherë na del me një seri romanësh, sikurse që bënte Balzaku e ku autori në romanet e tij trajton fatin e nëpërkëmbur të femrës shqiptare. Rexhepi tha për Elezin se ai është i drejtpërdrejtë dhe trajton kultin e romanit tradicional.

Tahir Arifi, kritik letrar, tha se romani “Engjëlli” është roman mbi intrigën, dashurinë, dhembjen e fundin, është një vepër realiste e sentimentale, por në të cilin ka edhe dromca politike e fate individuale, roman që prek ndërgjegjen e lexuesit. Arifi tha se në këtë roman autori sjell një rrëfim të strukturuar dhe që lexohet me një frymë, ngase në të ka një shpërfaqje të ambientit e të shoqërisë kosovare.

Remzi Idrizi, lexoi një shkrim të recensentit Fehmi Halimi, ku është thënë se në veprën e Muharrem Elezit ka pasur rrëfimesh, të lloj-lloj sprovimeve e përpjekjeve mbinjerëzore për të mbijetuar, që na kthejnë prapa në vlerën e vërtetë të librit e të botimit. Romanet e Elezit, me tërë ngarkesën e tyre bëhen edhe më shumë se romane – bëhen akte historike, mu siç ishin shkrimet Viktor Hygosë e Honore de Balzakut për popullin e vendin e Francës, – që u vlerësuan më fort se të gjithë shkrimet e dokumentet e historianëve francezë e botërorë për Francën.

Gjatë tërë kohës, pjesë nga ky roman i Muaharrem Elezit ka lexuar aktori i njohur gjilanas Ramadan Kurti.

Zyrafete Shala, redaktore e kritike letrare, ka thënë se deri më tashti, autori Muharrem Elezi ka botuar katër libra dhe se ky autor që prej romanit të parë e deri te ky më i fundit vazhdimisht ka evoluar në veprat e tij.

“Muharrem Elezi në romanin e tij të fundit “Engjëlli” vije me zë më të artikuluar e më të formësuar. Ai u qëndron besnik preokupimeve e temave që trajton dhe përqendrohet te fati i femrës shqiptare”, ka theksuar Shala, që ka shtuar se autori kufizohet te padrejtësitë dhe kufizimi i lirisë së femrës shqiptare.

“Me këtë roman, për të katërtën herë me radhë, Elezi sjell një rrëfim dinamik, të ndërtuar mbi motivet e përditshmërisë shqiptare. Lufta në mes të mirës dhe të keqes është strumbullari rreth të cilit zhvillohen fazat e konfliktit, i cili gjatë rrjedhës së rrëfimit merr përshkallëzim dramatik. Karakteret e shumta që defilojnë në roman, me veset, virtytet, pikëpamjet, ambiciet dhe mendësinë e tyre, krijojnë një botë fiktive që ngjason me realitetin tonë”, ka thënë ndër të tjera kritikja letrare, Zyrafete Shala.

Vetë autori Muharrem Elezi, që ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në promovimin e veprës së tij “Engjëlli”, ka theksuar se ka mëtuar që të shtjellojë një rrëfim të afërt me realitetin e jetës së përditshme të një hapësire ku jetojnë personazhet e romanit të tij, duke përmendur dy personazhet kryesore te romanit dhe sipas tij, vlerësimi më i mirë i lexuesit do të jetë atëherë, kur ata t’a kenë lexuar këtë roman.

Romani “Engjëlli” i autorit Muharrem Elezi ka 323 faqe, redaktor i të cilit është Zyrafete Shala, recensues Fehmi Halimi dhe është botuar nga Lena Grafik – Prishtinë. /kryelajmi.com/

You Might Also Like