Gjilan

Haziri: Kërkojmë që mbledhjet e KK-së të transmetohen live në mediat lokale

Në një konfrerencë për media të LDK-së në Gjilan u tha se kusht është gjetja e zgjidhjes për transmetim të mbledhjeve të kuvendit në media sociale dhe lokale.

Akuza ndaj ekzekutivit për abuzime të resurseve të komunës e kërkesë për zhbllokimin e seancave të Kuvendit komunal ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan. Lutfi Haziri, kryetari i LDK-së për Gjilan, njëherësh ish-kryetar i kësaj komune, tha se kryetari Alban Hyseni duhet ta sigurojë transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve së kuvendit komunal në media sociale dhe media lokale të Gjilanit, jo vetëm në faqen e saj. Kjo tha se është kushti i LDK-së për pjesëmarrje në seancat e Kuvendit komunal.

“Një ekzekutiv i cili nuk arriti ta përtrijë kontratën dhe të gjejë forma ku rrjetet e mediat sociale dhe me mediat në përgjithësi në komunën tonë që janë të zhvilluara, tregon për mungesë vullneti dhe jo mungesë buxheti. Kjo qeverisje lokale nul mund ta ketë mbështetjen e të zgjedhurve të LDK-së në Kuvend e as prezencën derisa nuk e zgjedh këtë mundësi”, ka thënë Haziri.

Ai e ka akuzuar udhëheqjen komunale se po i ikën ballafaqimit me asamblistët në Kuvend komunal dhe se po udhëhiqet jo prej kërkesave të qytetarëve të Gjilanit, por nga krerë partiakë që jetojnë në kryeqytet. Emrat e krerëve të LVV-së që po pretendoi se po udhëheqin me Gjilanin nuk i shpalosi gjatë konferencës për media. E kryetarin aktual e akuzoi për vepra penale me të cilat tha se do të merren organet e drejtësisë. Ai përmendi një kamion mbi 40.000 eurosh të blerë nga kryetari Alban Hyseni pa procecurë prokurimi për të cilën e ka akuzuar edhe PDK-ja dhe pretendoi se po ndërtohet në kundërshtim me planin zhvillimor në fuqi.

“Qendra e qytetit, në fazën e parë duhet të mbyllet, është bërë studimi, nuk është lexuar asnjëherë. Duhet të ndalet qarkullimi në zonën e parë, në bërthamën e saj, jo në krejt zonën e parë. Pastaj në Gjilan nuk është duke ndodhur zonimi si pjesë e planit zhvillimor fare, që është vepër penale. Si mundesh të lëshosh leje në emër të planeve të vjetra që janë tejkaluar në vitin 2021. Në Gjilan lëshojnë leje me plan të vitit 2021, para vitit 2021. Plani i ri zhvillimor është i miratuar. Ku është projekti i varrezave, pse u hesht?”, ka shtuar Haziri.

Në këtë konferencë për media Haziri u shpreh se shumicën e projekteve të nisura sa ka qenë kryetar, Alban Hyseni i ka ndalur, pavarësisht nevojës së tyre, vetëm pse i ka llogaritur si “projekte të Lutës”. Vetëvendosjen dhe kryetarin Hyseni e akuzoi edhe për riprogramimin e projekteve si stadiumi i futbollit për vitin 2028, përderisa ishte i paraparë të përfundohej brenda mandatit të tij qeverisës.

You can skip this ad in 4

Advertisement

You Might Also Like