Gjilan

Haziri: Këtë vit po e përmbyllim me një projekt jetik për qytetarët e Gjilanit, siç është impianti i ujërave të zeza  


Gjilan, 30 dhjetor 2019 / Kryetari i Gjilanit, LutfiHaziri e ka vlerësuar të suksesshëm në aspektin e realizmit të investimeve dhe planit qeverisës, në përgjithësi, vitin 2019, në konferencën përmbyllëse me gazetarë, ku ai i ka paraqitur sukseset dhe sfidat e kësaj periudhe si dhe angazhimet e hershme për vitin 2020.

Por, fillimisht Haziri i ka shprehur ngushëllime familjes Kryeziu, e cila humbi një anëtar të saj para dy ditësh, për motive të liga dhe të rënda, pas një aksidenti tragjik që ndodhi në Gjilan, i cili përndryshe njihet si qytet i paqes dhe i qetësisë.

Si problem kryesor për këtë vit, të cilin Gjilani po e përballon me një solidaritet dhe mirëkuptim qytetar, kryetari Haziri ka përmendur thatësinë e madhe që e ka goditur regjionin e Anamoravës dhe veçmas liqenin e akumulues në Përlepnicë, që është burimi kryesor i furnizimit me ujë të pijes.

Ai përmendi të gjitha masat që janë ndërmarrë për përballimin e gjendjes, duke përfshirë edhe konferencën e donatorëve që u mbajt në Gjilan, ndërkohë që vetë Komuna ka ndarë 200 mijë euro për ndërhyrje emergjente, përmes shpimit të puseve alternative te kazerma e FSK-së dhe lagjen Fidanishte, ndërkohë që do të vazhdohet te Baja dhe livadhet e Koretishtës, duke bërë kështu një zgjidhje afatshkurtër të këtij problemi akut, ka thënë Haziri.

Por, Komuna e Gjilanit është duke u angazhuar edhe për një zgjidhje afatmesme dhe afatgjatë të këtij problemi, ka thënë kryetari Haziri.

“Sa i përket zgjidhjes afatmesme, jemi duke punuar me partnerë të mëdhenj, siç është qeveria zvicerane dhe Banka Botërore dhe si mundësi për të siguruar ujë për pendën e Përlepnicës, po merren parasysh Krivareka dhe Llapushnica.Shpresoj që edhe qeveria e Kosovës do të bëhet shpejt dhe do të ndërhyjë në zgjidhjen afatmesëm dhe afatgjatë të këtij problemi”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, sa i përket të arriturave të këtij viti, kryetari Haziri ka përmendur si suksesin më të madh programin për trajtimin e ujërave të zeza.

“Suksesi më i madh për këtë vit konsiderohet impianti për trajtimin e ujërave të zeza, në vlerë 26 milionë euro”, ka thënë Haziri, duke shtuar se kështu do të zgjidhet problemi më i madh që ka qyteti i Gjilanit prej shumë vitesh.

Sipas kryetarit Haziri, sot pritet të shpallen përfituesit e parë sipas konkurrencës dhe deri tash ka udhëhequr BERZH-i.

Ndërkaq, duke i prezantuar investimet kryesore të këtij viti që po ikën, të cilat janë shtritë në qytet dhe fshatra, kryetari Haziri u shpreh i lumtur që te ndarja e projekteve është respektuar parimi i barazisë.

“Ne jemi njoftuar zyrtarisht për vazhdimin e punimeve në rrugën Livoç i Ulët-Kllokot, Gjilan-Prishtinë, në gjatësi 7.1 kilometra, rrugën e Kumanovës si dhe rrugën prej Drini Market deri te bunari i Përlepnicës, ku kanë filluar punimet”.

Haziri tha se shpreson që në fillim të janarit do të hapet edhe vendkalimi Stançiq-Bellanoc, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i mallrave dhe njerëzve përmes kësaj pjese, një ide kjo që po jetësohet pas një dekade punë në këtë drejtim.

Kryetari Haziri ka paraqitur edhe realizimin e të hyrave komunale, që janë përmbushur qind për qind, investimet që janë realizuar në shkallën 93 për qind, derisa prokurimi e ka zbatuar planin e vet në masën 86 për qind.

Sa i përket banimit social, ku komuna e Gjilanit ka punuar me prioritet, deri më tani janë bërë me shtëpi të reja 131familje, 26 prej tyre vetëm gjatë këtij viti, ndërkohë që edhe dy shtëpi janë të premtuara. Janë rinovuar 11 shtëpi, kurse qiraja mujore u kompensohet 51 familjeve, ka thënë Haziri.

“Kësisoj jemi bërë komuna më solidare sa i përket zgjidhjes së problemit të banimit social dhe besoj shumë që do të arrijmë ta vazhdojmë këtë program edhe gjatë vitit 2020, përmes bashkëpunimit me qytetarë dhe partnerë, sikurse që kemi bërë me “Jetimët e Ballkanit për ndërtimin e 21 shtëpive”, ka thënë Haziri.

Kryetari Haziri ka përmendur edhe bashkëpunimin me donatorë ndërkombëtarë, siç është programi IPA 2 dhe të tjerë, Bankën Botërore, që ka premtuar ndarjen e mjeteve për zgjidhjen e problemit të ujit dhe të tjerë.

Për të gjitha këto arritje, kryetari Haziri ka falënderuar institucionet dhe mekanizmat tjerë institucionalëpër bashkëpunim me Komunën, sikurse edhe qytetarët që janë treguar solidarë dhe mbështetës të  Komunës, por edhe kanë adresuar kërkesa, pakënaqësi e vlerësime për një vit që po e lëmë pas, me besim se vitin e ardhshëm ky bashkëpunim do të rritet edhe më shumë.

You Might Also Like