Futboll

Drita sigurt vazhdon edhe pas pushimit dimëror

Në nismë të stinorit pranveror në futboll, lideri i Superligës së Kosovës në Futboll, Drita nga Gjilani ka shënuar një fitore të vlefshme ndaj të tretit në tabelë, Malishevës me rezultat 2:0. Edhe në këtë ndeshje ishte Besnik Krasniqi ai që ka shkëlqyer, duke shënuar dy herë, golin e parë nga loja e të dytin nga pika e bardhë, shkruan kryelajmi.com.

Drita që në nismë të ndeshjes ka bërë me dije se objektiv i saj është fitorja dhe që në minutën 24 ia ka dalë që të shënojë nëpërmjet sulmuesit të saj Kastriot Selmani, por goli është anuluar nga sistemi VAR, i cili gjeti se para shënimit të golit pati pozitë jashtë loje.

Përkundër kësaj Drita vazhdoi të kërkoj golin dhe në pjesëlojën e parë edhe pse u dhanë dy minuta shtesë, rezultati mbeti i pandryshuar 0:0.

Vendasit e nisën mirë edhe pjesën e dytë të ndeshjes dhe pasi disa tentativave ia dolën që të shënojnë nëpërmjet mbrojtësit të tyre Besnik Krasniqi, i cili ka realizuar në minutën 60. Në këto gol merita pati edhe sulmuesi i krahut Almir Ajzeraj, i cili ka asistuar për Krasniqin.

Besnik Krasniqi, ia ka dalë që të shënojë edhe në minutën 78, pasi që më herët Drita kishte fituar penalti, që e akordoi gjyqtari kryesor i ndeshjes Dardan Çaka e të cilat rëndom tejet sigurt i shënon mbrojtësi i djathtë i Dritës.

Deri në fund të ndeshjes, Drita me urti e ruajti rezultatin, duke u përforcuar edhe më shumë në vendin e parë në tabelë.

Në ndeshjen e radhës FC Drita do të përballet me FC Prishtinën në Stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like