Viti

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti seancë solemne me rastin e Epopesë së UÇK-së

Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur sot një seancë solemne me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të nderuar sakrificat dhe heroizmin e dëshmorëve të kombit. Ky përvjetor i rëndësishëm, që kujton ngjarjet e lavdishme të Luftës për Çlirimin e Kosovës, u shënua me fjalë rasti të Kryesuesit të Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, i cili duke folur rreth rëndësisë së kësaj dite tha se kjo ditë është ditë e krenarisë dhe e dhimbjes. Ai shtoj se për tri ditë radhazi familja Jashari nga Prekazi i ka ballë një ushtrie të terë me makineri të rëndë. “Kjo familje dha shumë dhe ishte motiv dhe vendosi themelet e lirisë. Lavdi jetës dhe veprës së komandantit legjendar Adem Jashari, lavdi familjes Jashari, lavdi gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.” tha Azizi.
Ndërsa në fjalën e tij, zv.kryetari i Komunës, Hasan Aliu, përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e kujtimit të ngjarjeve të Prekazit, një moment kyç për të gjithë popullin shqiptar. Ai u shpreh se përparimi ynë duhet të përkujtojë gjithmonë kontributin e çmuar të popullit shqiptar gjatë historisë, i cili gjithmonë ka mbrojtur dhe vënë në rrezik ekzistencën e tij për të mbajtur gjallë këtë qytetërim.” Aliu më tej shtoi se kujtimi i këtyre ngjarjeve duhet të inspirojë vendimmarrësit e sotëm, për të krijuar mundësi më të mira për qytetarët e Vitisë. “Uniteti jonë është ajo që do të na mundësojë të përballemi me sfidat që na presin dhe të realizojmë ëndrrat dhe aspiratat tona”, tha zv.kryetari Aliu. Një fjalë rasti mbajti edhe Qemajl Rexhepi në emër të Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, i cili nënvizoi kontributin e çmuar të familjes Jashari, si dhe gjithë dëshmorëve të kombit, për lirinë e Kosovës, duke përçuar mesazhin e unifikimit të spektrit politik dhe thirrjen për të bashkëpunuar të gjithë për të mirën e vendit në të ardhmen.
Aziz Zuka

You Might Also Like