ARSIMI

U mbajt mbrëmje përshëndetëse me profesorët Reshat Syla e Hajrije Hyseni si dhe sekretarin Sabit Marovca

Kolektivi i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan ka organizuar një mbrëmje përshëndetëse me rastin e pensionimit të tre anëtarëve të këtij kolektivi, Reshat Syla, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit, Hajrije Hyseni, profesoreshë e Fizikës dhe Sabit Marovca, sekretar i shkollës.

Të tre punëtorët arsimorë kanë dhënë kontributin e tyre me dekada të tëra në ediukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, andaj angazhimi i tyre është angazhimi i tyre është çmuar lart.

Bekim Mustafa, drejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti” ka theksuar se në këtë mbrëmje është  ndjenjë e përzier pensionimi, veçanërisht për ne që gjithë jetën e kemi kaluar përditshmërinë me nxënësit, duke parë rritën, zhvillimin e sukseset e tyre, po edhe sfidat e pengesat dhe duke provuar t’ju ofrojmë botën çfarë e njohim e njohuritë tona. “Sonte vlerësojmë punën e madhe e me përkushtim të prof. Hajrije Hysenit, prof. Reshat Sylës dhe sekretarit tonë, Sabit Maroca. Është nder që ju kishim kolegë e që ndamë bashkë pjesë e momente të bukura e të vështira, po që gjithmonë ia dolëm bashkërisht. Nderimin për punën tuaj më së miri e shprehin breza të tërë nxënësish, tashmë profesionistë fushash të ndryshme që kaluan nëpër duar e patën kujdesin tuaj”, ka theksuar drejtori Bekim Mustafa, i cili në emër të Gjimnazit, profesoreshës Hahrije, profesorit Reshat dhe sekretarit Sabit u shprehi falënderimin e mirënjohjen për punën, kolegialitetin e miqësinë që ndanë bashkë. “Gjimnazi do të mbetet përherë i juaji e ju të tij. Shëndeti ju priftë në secilën ditë të jetës e gëzimet qofshin përditshmëri juaja me familjet”, tha drejtori Bekim Mustafa.

Edhe Agim Asllani, zëvëndësdrejtor në Gjimnazin Natyror “Xhavit Ahmeti”, ka çmuar lart kontributin e Reshat Sylës, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit, Hajrije Hyseni, profesoreshë e Fizikës dhe Sabit Marovca, sekretar i shkollës, të cilët ishin shumë të përkushtuar në punën e tyre dhe falë të cilëve dolën shumë gjenerata të suksesshme të Gjimnazit.

Profesoresha Hajrije Hyseni, ka theksuar se ndjehet e emocionuar në këtë ditë dhe pasi ka folur për shkollimin fillor dhe të mesëm, kontributin e prindërve të saj, ka shtuar se që nga viti 1980 si e re kishte nisur punën me ditar në dorë dhe arsimit nuk i ishte ndarë kurrë dhe nuk la pa thënë fjalë miradije për kolektivin ku kishte punuar, duke shtuar se ka punuar me njerëz të mirë e të përgjegjshëm, andaj vlerësoi se me sukses e ka përmbushur misionin që ka pasur.

Reshat Syla, profesor i Kulturës Fizike dhe Sportit, gjithashtu ka thënë se beson që e ka kryer misionin e tij me sukses të plotë, por edhe ka vlerësuar se sot arsimi është në krizë, andaj ka kërkuar nga të gjithë që të angazhohen që të tejkalohet kjo gjendje. Edhe për vete tha se rrugëtimin nuk e kishte të lehtë, por që i ka sfiduar vështirësitë dhe ia ka dalë që t’i sfidojë ato.

Sekretari Sabit Marovca, është shprehur i lumtur që ka punuar në një kolektiv siç ishte gjimnazi, andaj ka shtuar se është angazhuar që gjithmonë të jetë në shërbim të palëve.

Ndryshe, profesorët e pensionuar janë nderuar me mirënjohje dhe dhurata, të cilat atyre do t’u mbeten në kujtesë për punën që kanë bërë.

Të gjithë mësimdhënësit dhe i tërë kolektivi u kanë dëshiruar jetë të gjatë e të lumtur profesorëve  Reshat Syla dhe Hajrije Hyseni, si dhe sekretarit Sabit Marovca.

Fotot: Foto Fari

You Might Also Like