KULTURA

Mbahet Festivali Evropian i filmit në Gjilan

Në vigjilie të Ditës së Evropës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, në bashkëpunim me organizatën “Varg e Vi”, ka nisur Festivali Evropian i Filmit në Teatrin e Gjilanit me filma nga kinemaja evropiane.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka përshëndetur të pranishmit në emër të kryetarit Alban Hysenit.
Ajo shtoi se është një nder dhe kënaqësi e veçantë të mirëpresim hapjen solemne të European Film Fest, një ngjarje që bashkon zërat dhe vizionet e kinemasë evropiane në një mozaik të pasur kulturor.
“Kinemaja ka fuqinë të na bëjë të reflektojmë, të ndjejmë dhe të shohim botën nga këndvështrime të reja. Ajo është një dritare drejt përvojave njerëzore, një pasqyrë e shoqërive tona dhe një mjet për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes kulturave”, tha Morina Bunjaku.
Më tej ajo shtoi se ky festival nuk është vetëm një shfaqje filmash; është një festë e diversitetit, kreativitetit dhe bashkëpunimit ndërkulturor. Është një mundësi për të eksploruar tregime që na sfidojnë, na frymëzojnë dhe na lidhin si qytetarë të një Evrope të përbashkët.
“Në emër të organizatorëve dhe partnerëve tanë, ju falënderojmë për praninë tuaj dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj artit të shtatë. Le të shijojmë së bashku këtë udhëtim kinematografik që na pret në ditët në vijim”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja e Gjilanit, uroi një festival të mrekullueshëm dhe plot përvoja të paharrueshme.
Jarmo Helppikangas, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se është kënaqësi të mirëpriten pjesëmarrësit në këtë qytet.
Kiara Kastaldo, zëvendës shefja e Ambasadës Italiane në Kosovë, tha se filmi “Jam mirë”, është një shembull konkret i bukurisë së bashkëpunimit evropian që mund të krijohet.
Matias Konraad, zëvendës shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane, tha se festivali që u hap sonte ka një rëndësi të veçantë si pjesë e Javës së Evropës, që çon drejt Ditës së Evropës më 9 maj.
Hapja e festivalit u bë me ilmin “Jam mirë”, një bashkëprodhim mes Italisë, Gjermanisë, Luksemburgut dhe Belgjikës, me regji të Donato Rotuno.
Sot shfaqen filimat “Dodo”nga Greqia në orën 16:00, pastaj filmi “Murina” nga Kroacia në orën 18:30 dhe filmi “Vajza nga nesër” nga Italia në orën 20:10.

You Might Also Like