Më 22 tetor 2025 në takimin letrar, tashmë tradicional, “METAMORFOZAT E VJESHTËS”, nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti, pata nderin që juria e kësaj veprimtarie poetike, poezisë sime NJË PORTRET FANAR MBI DET t`i jep çmimin e parë. Respekte të ndërsjellta për artin e shkruar!
NJË PORTRET FANAR MBI DET
Faqet
verdhë skuqjet e pjeshkës
Sytë
llambadarë të drithëruar rrëshqasin
hapur e fshehur relieveve të butë të vashës
Buzët
në buzë gacat e qershisë
Mendja
një fanar universi që fluturon e nuk fiket
Flokët
një pyll i paprerë dhe strofka që i lëpin era
Veshët
krisma kakofonish dhe mjaltë melodish
Balli
digë e shkrirjes së sumbullave prej kripës
Rrudhat
të vjelat e të mbjellave përgjatë hullive hamulloresh
Vetullat
lojëra me vija harqesh e ngjyra ylberesh të piktorëve
Hunda
mes faqesh një hinkë e kullimit të erërave
Lotët
vrushkuj reshjesh vranësirash vajesh të shfryera
Mjekra
rrëza e kafkës gufuese vegjetimesh të dendura
të thinjura apo të zeza
Buzëqeshja
shkëlqim drite me ar çastesh thurje e praruar
ujëvarë e fllad shpirti
akull-shkrirësja e një dëshpërimi
engjëllushë që mbi qepalla zbriti
dhe pas një vranësire
e trazuar lypi
degë hareje
fluturoi dhe iku
Gjilan, tetor 2025




