Libri

Sot nis manifestimi “Vjeshta Letrare”

Pesëmbdhjetë tetori i këtij viti (2022) po e shënon fillimin e edicionit të trembëdhjetë të manifestimit tashmë tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, këtu, në Shtëpinë tonë të librit, falë asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubit “Beqir Musliu” si dhe Bibliotekës së Qytetit, po edhe mbështetjes nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu”.

Nga edicioni i parë i vitit 2010 kur edhe filloi e deri më tash, po edhe tutje në vitet që do të pasojnë, VJESHTA LETRARE E GJILANIT vazhdon t’i përkushtohet librit dhe vlerave artistike që sjellë në fushën e letërsisë si dhe atyre që e shkruajnë dhe botojnë librin dhe që, vit për vit e në vazhdimësi tashmë, begatojnë jetën tonë shpirtërore e kulturore në Gjilan, Kosovë e më gjerë.

Sabit Rrustemi, drejtues i i Ars Clubit ‘Beqir Musliu’ thotë se VJESHTA LETRARE E GJILANIT qëllim parësor ka afirmimin e vlerave dhe të krijuesve, përkatësisht shkrimtarëve, që i krijojnë këto vlera dhe i shëprfaqin në publik përmes veprave të tyre.

‘Rrethanat e viteve të fundit, pa e përjashtuar dhe këtë vit në të cilin jemi, aspak nuk kanë qenë të përshatshme për veprimtari të këtilla në Kosovë e më gjerë, por ne, me mundësitë dhe kapacitetet që kemi, po i sfidojmë përmes këtyre organzimeve, për t’i kontribuar shoqërisë e vendit, duke e mbajtur gjallë shpirtin krijues e lexues si dhe duke zhvilluar e afirmuar letërsinë dhe vlerat e mirëfillta të kësaj fushe të rëndësishme për kombin’ ka thënë Rrustemi.

Edhe ky edicion mbahet dhe organizohet falë vullnetit të krijuesve, artdashësve po edhe mbështetësve të tyre, qofshin ata institucional, individë apo dhe vetë krijuesit e veprimtarët e artit letrar.

VJESHTA LETRARE E GJILANIT, që ka bërë emër gjithandej Kosovës e më gjerë, nga viti në vit na obligon dhe ndërgjegjëson se për librin e për vlerat letrare s’duhet kursyer së vepruari e krijuari.

Nisur nga kjo, edhe ky edicion, i trembëdhjeti me radhë, sjell vepra të reja, vlera e emra të nduarduart.

Disa nga këto vepra që janë botuar në pjesën e parë të këtij viti, edhe i janë bërë të ditura publikut përmes ceremonive përuruese e vlerësuese, ndërsa të tjerat që u botuan në ndërkohë, këtë ekskluzivitet e ruajtën për këtë Vjeshtë … ku edhe do të shpërfaqen e përafrohen me lexuesin si dhe studiuesit letrar e kritikët, që për fat të mirë, nuk na mungojnë.

Fakti që, në hapje të këtij Manifestimi kemi zgjedhur një libër të sapobotuar me studime e vështrime letrare, e dëshmon këtë prani të vlerësimit dhe shtjellimit letrar nga ata apo ato që kanë përgatitjen e duhur dhe këtë e bëjnë me dashje e pa u ndikuar nga interesi material por vetëm nga ai shpirtëror e letrar.

Po s’do t’jetë vetëm libri SHOSHITJE LETRARE i shkrimtarit dhe publicistit të rryer Shefqet Dibranit që enkas vjen nga Zvicra në hapje të këtyre veprimtarive letrare.

Do të ketë dhe risi të tjera, ka thënë Rrustemi.

VJESHTA LETRARE E GJILANIT është më e begatuar se kurdoherë, edhe me Panoramën e poezisë modern botërore, një vepër kjo e mbetur dorëshkrim nga shkrimtari ynë i shquar Ramadan Musliu dhe ate, pikërisht në dyvjetorin e shkuarjes së tij në amshim.

Pastaj në pjesën e parë të nëntorit do të prezentohet Kompleti i romaneve të romansierit më prodhimtar të kësaj kohe në Kosovë, Ibrahim Kadriut dhe ate, në datën 12 nëntor.

Më 26 nëntor, në vigjilje të Festave të nëntorit, do të organizohet ceremonia e dhënies së Çmimit letrar “Beqir Musliu”, një Çmim ky që është inicuar e ideuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” e që tashmë është insitucionalizuar dhe e jep kryetari i komunës, në shenjë të nderimit të jetës dhe veprës së njërit prej shkrimtarëve më të mirë të Kosovës, gjilanasit Beqir Musliu.

Natyrisht, as dhjetori nuk do të jetë i thatë. Fundi i Vjeshtës letrare të Gjilanit do të përmbyllet gjithashtu me një përurim si dhe me paraqitjen e prodhimtarisë botuese gjatë një viti të Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, e cila, ka pasuruar vetëm deri tash letërisnë shqipe me 10 tituj të rinj librash e dy numra të revistës letrare AGMIA e, ka në proces të përgatitjes dhe botimit, edhe pesë tituj librash.

Vlen të përmendet se nga botimet e deritashme, katër libra janë mbështetur pjesërisht nga MKRS-ja si dhe një tjetër, nga Komuna e Gjilanit, ndërsa të tjerat, qoftë nga autorët, nga sponzorët po dhe nga mjetet e vetë kësaj shtëpie botuese, e cila po dëshmohet si shtëpi e vlerave të mirëfillta letrare.

“Besoj se kjo agjendë e ngjeshur dhe e pasur e këtij edicioni është dëshmia më e mirë e angazhimit tonë krijues e letrar, po edhe e afrisë me lexuesin dhe me të gjithë të tjerët që e dojnë dhe e ndihmojnë librin”, thotë Rrustemi.

You Might Also Like