Njësia për të Drejtat e Njeriut e Komunës së Gjilanit, në bashkëpunim me mekanizmat relevantë dhe në mbështetje nga OSCE- Qendra Rajonale Gjilan, mbajtën tryezën në kuadër të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Linditë Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore, tha se qëllimi i kësaj tryeze është shkëmbimi i ideve, përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe organizatave lokale, për të forcuar mekanizmat e parandalimit të dhunës me bazë gjinore dhe për të promovuar barazinë gjinore në nivel lokal.
Ndërsa për mbështetjen dhe mbrojtjen nga Strehimorja për gratë dhe fëmijët e rrezikuar, foli drejtoresha e Strehimores për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës, Nazife Jonuzi.
Ajo tregoi edhe për shërbimet e strehimores dhe mbrojtjes së viktimave si dhe për bashkëpunimin me institucionet lokale dhe organizatat e komunitetit.
Salihe Aliu, zyrtare nga Drejtorati për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, tha se 21 raste të dhunës në familje për këtë vit, komuna u’a paguan qiranë. Po ashtu sigurojnë shërbimet sociale përmes aktiviteteve të Qendrës për Punë Sociale apo financimin e OJQ-ve që merren me këtë veprimtari.
Sipas saj komuna bënë financimin publik të projekteve të OJQ-ve. DSHMS bënë edhe strehimin e viktimat e dhunës në familje përmes subvencionimit të qirasë, subvencionimin për kompensimin e mjeteve e financiare për barëra, ndihma ushqimore, veshmbathje e ndihma financiare të ndryshme nga donacionet.
Ajo tregon se përmes Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, drejtoria siguron edhe shërbime shëndetësore për këtë kategori.
“Prioritet i është dhënë viktimave të dhunës në familje, ku subvencionojmë qiranë”, tha Salihe Aliu.
Gani Leci, udhëheqës regjional i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave nga Prokuroria e Shtetit në Gjilan, tha se kjo tryezë e rëndësishme, shënon një tjetër kapitull të përbashkët në luftën kundër dhunës me bazë gjinore – një fenomen që, për fat të keq, ende prek shumë gra, burra e fëmijë në shoqërinë tonë.
“Këto “16 Ditë të Aktivizmit” nuk janë vetëm simbolikë, por një thirrje për veprim të përditshëm, për reflektim dhe për përgjegjësi institucionale. Në rolin tim si Mbrojtës i Viktimave, kam për detyrë – dhe për mision – që zëri i viktimës të dëgjohet, të respektohet dhe të marrë mbështetjen e plotë që ligji garanton. Përmes këtij mekanizmi, çdo viktimë e dhunës ka të drejtë të ketë përkrahjen e një profesionisti që e shoqëron gjatë gjithë procesit penal, nga momenti i raportimit e deri në përfundimin e rastit në gjykatë. Ky rol është thelbësor për garantimin e pjesëmarrjes së plotë dhe të informuar të viktimës në procedurë, për mbrojtjen e dinjitetit, dhe për rindërtimin e besimit në sistemin e drejtësisë”, tha Leci.
Sipas tij megjithatë, sfidat mbeten të shumta: nevojitet një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet institucioneve, reagim më i shpejtë dhe më i ndjeshëm nga strukturat përgjegjëse si dhe fuqizim i shërbimeve psiko-sociale dhe mbështetëse në nivel lokal.
Mbrojtësi i viktimave, theksoi se këto sfida mund të tejkalohen vetëm përmes bashkëveprimit të sinqertë dhe të koordinuar midis policisë, prokurorisë, gjykatës, Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave, strehimores, Qendrës për Punë Sociale dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Në këtë drejtim, Zyra për Mbrojtjen e Viktimave – Rajoni i Gjilanit mbetet e përkushtuar që të jetë afër çdo viktime, të sigurojë mbrojtje efektive, informim të drejtë dhe respektim të plotë të të drejtave ligjore”, tha Gani Leci.
Ai theksoi se lufta kundër dhunës me bazë gjinore nuk është vetëm përgjegjësi e viktimës apo e një institucioni të vetëm – ajo është detyrë e secilit prej nesh. Vetëm përmes solidaritetit, koordinimit dhe respektit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një komunitet të sigurt e të barabartë për të gjithë.
Udhëheqësi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave nga Prokuroria e Shtetit prezantoi statistikat, për periudhën nëntë mujore (janar-shtator 2025) në rastet e dhunës në familje në Komunën e Gjilanit, ku ishin 176 raste të dhunës në familje.
Të pranishmit me mendimet e tyre dhanë një kontribut të çmuar në avancimin e përpjekjeve të përbashkëta për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.



