Teatër

U dha premiera e shfaqjes “A po m’nin”

Në Teatrin e Gjilanit këtë të mërkurë është dhënë premiera e shfaqjes “A po m’nin”, me aktorë të rinj të trupit teatror të nxënësve të shkollave të mesme të Gjilanit nga Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” dhe Shkolla e Mesme e Arteve në Gjilan. Kjo shfaqje ishte projekt I Organizatës “Artpolis” dhe është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Të rinjtë e Klubit Teatror në Gjilan janë mentoruar nga aktorët Kushtrim Qerimi dhe Fitore Jashari, kurse Kushtrim Qerimi, njëri nga mentorët në fillim të shfaqjes ka theksuar se për këtë shfaqje është punuar me zell nga nxënësit dhe mentorët e tyre dhe pas saj do të ketë një debat me personazhet që paraqiten në shfaqje.

Me lojën e treguar në skenë, nxënësit-aktorë kanë patur një paraqitje të shkëlqyeshme, aq më tepër që ndonëse në moshë të re, ata kanë luajtur role të moshave nga më të ndryshme, që nga gjyshërit, prindërit, bashkëmoshtarët e tyre e deri te fëmijët e vegjël dhe me paraqitjen e tyre janë mishëruar si është më së miri me rolet që u janë besuar e që gjithësesi se kjo është edhe meritë e mentorëve të tyre, të cilët me përzgjedhjen e aktoreve dhe të roleve shfaqjen e kanë realizuar si shumë të kapshme për moshën që I dedikohet dhe shoqërinë e sotme në Kosovë e më gjerë.

Ngjarja kryesisht zhvillohet në shtëpinë e kryepersonazhes Jara, një e re, e cila përballet me dilemën e zgjedhjeve që i ndryshojnë rrjedhën e jetës. Ajo është e shpërfillur nga prindërit, gjyshërit, por edhe nga shoqëria që e rrethon e në këto rrethana tek ajo lind pasiguria dhe humb edhe vetëbesimin.

Gjyshërit e saj më tepër janë të preokupuar me rrjetet sociale dhe fare pak merren me të, babai me punën, nëna me punët e shtëpisë dhe motrën e saj të vogël, derisa shoqet me intrigat e tyre, kurse kryepersonazhja ndjehet e braktisur, gjë e cila lë pasoja në jetën e saj rinore.

Pikërisht këto tema në shoqërinë e sotme kanë ngjallur debatin pas shfaqjes, në të cilin ka patur shumë interesime të publikut, I cili ishte gjithashtu me gjenerata të ndryshme, gjyshër, prindër, nxënës e fëmijë, të cilët u bënë pjesë e pandashme e kësaj shfaqje.

Pra, shfaqja forum teatër “A PO M’NIN” sjell këtë udhëtim të ndërlikuar të rinisë, përmes interpretimeve të nxënësve të Gjimnazit “Xhavit Ahmeti” dhe Shkollës së Artit “Adem Kastrati”: Muharrem Ramadani, Eris Selimi, Isra Sahiti, Anisa Koprani, Donesa Musliu, Ajsin Sahiti, Lina Bislimi, Atika Salihu, Kanita Mehmeti, Delfina Halimi, Altesa Byqmeti, Blinera Miftari, dhe Rrezarta Rrahmani.

Aktivitete si ky I duhen shoqërisë sonë dhe shkollave tona, andaj publiku e duartrokiti gjatë këtë shfaqje, duke e vlerësuar në këtë mënyrë përkushtimin e aktorëve të rinj, mentorëve dhe organizatës që ishte nismëtare e këtij projekti. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like