ISMET HASHANI
ROMAN PËR FATIN KOLEKTIV TË PASQYRUAR NË DRAMËN PERSONALE TË PERSONAZHIT
(Refleksion për romanin e Aziz Mustafës, “Nëse vdekja pret”, Sh. B. “Faik Konica, Prishtinë, 2025.)
Romani “Nëse vdekja pret” vjen te lexuesi si një vepër letrare e shkruar me kujdes, ku rrëfimi kronologjik, ani pse në disa plane narrative, shërben si shtyllë kryesore për të pasqyruar jetën, vuajtjet dhe përballjet e personazhit kryesor, Drin Durakut, një personifikim i mundshëm i autorit, por edhe i secilit prej nesh që kemi jetuar në periudhën kohore (kronosin) dhe në arealin e rrëfimit (toposin) e paraqitur në roman, çka e bën atë njëkohësisht zërin e fatit kolektiv të shqiptarëve të Kosovës. Autori arrin të ndërthurë me mjeshtëri historinë personale të protagonistit, duke e bërë më të besueshme edhe dramën kombëtare, ashtu që heroin e tij e shndërron në një simbol të qëndresës, dhimbjes dhe shpresës.
Që në faqet e para të romanit, autori e vendos lexuesin në një realitet të rëndë historik por real, duke përshkruar represionin e ushtruar ndaj shqiptarëve që nga regjimi shovinist i ish-Mbretërisë Jugosllave e deri më gjerë në kontekste të ndryshme të historisë sonë të dhimbshme, për të vijuar më pas me përndjekjet sistematike në periudhën komuniste, por të kamufluara në mënyra perfide si luftë ndaj forcave antikomuniste. Këto etapa historike nuk paraqiten thjesht si sfond, por si forca aktive që i japin formë fatit të personazhit, psikologjisë e tij dhe zgjedhjeve të tij jetësore. Vuajtjet fizike, izolimi, frika dhe humbjet personale përshkruhen të thjeshta dhe origjinale, me realizëm dhe ndjeshmëri, pa rënë në patetizëm të tepruar.
Një nga vlerat më të spikatura të romanit është mënyra se si autori depërton në botën e brendshme të protagonistit. Rrëfimi nuk ndalet vetëm te dhuna vuajtjet dhe persekutimi i personazhit, por eksploron thellësisht pasojat emocionale të ngjarjeve: ndjenjën e pasigurisë, plagët shpirtërore dhe konfliktin e vazhdueshëm mes shpresës dhe dëshpërimit. Kjo e bën personazhin të besueshëm dhe njerëzor, duke e afruar lexuesin me përjetimet e tij.
Në këtë gamë të gjerë të këtij universi të errët, autori gjen hapësirë edhe për paraqitjen e dimensionit të dashurisë. Autori e trajton me pendë të stërholluar dhe delikatesë kontrastin mes dashurisë së vërtetë, si forcë shpëtimtare dhe burim kuptimi, dhe dashurisë së imponuar, të lindur nga rrethanat e të qenit azil-kërkues, ku ndjenjës i kundërvihet nevoja për mbijetesë. Ky dualizëm e pasuron veprën dhe i jep asaj një thellësi emocionale që shkon përtej narratives historike.
Struktura kronologjike e romanit i jep rrjedhshmëri rrëfimit dhe ndihmon lexuesin të ndjekë zhvillimin e personazhit në kohë, duke parë se si historia ndikonte drejtpërdrejt në jetën individuale por edhe kolektive. Gjuha është e matur, e zgjedhur, me shumë figura poetike, por gjithmonë në shërbim të përmbajtjes dhe gjithmonë e strukturuar mirë. Gjuha e librit është e kuptueshme çka e bën leximin reflektues dhe të afërt.Njëkohësisht, përdorimi i terminologjisë shkencore mjekësore për të paraqitur gjendjen shëndetësore dhe shpirtërore të personazhit veç se e thellon më tepër besueshmërinë në ngjarjen e rrëfyer.
Në përfundim, “Nëse vdekja pret” është një roman ekzistencial që dëshmon se letërsia mund të jetë një formë e fuqishme kujtese dhe rezistence individuale por edhe kolektive. Rrëfimi nuk është vetëm historia e një njeriu, por një pasqyrë e fatit të një kombi të tërë, i cili, pavarësisht vuajtjeve dhe padrejtësive historike, nuk resht së kërkuari dinjitet, dashuri dhe liri. Si i tillë, romani përbën një kontribut të çmuar në letërsinë shqipe me tematikë sa historike, aq edhe aktuale.
Respekt Dr.Aziz Mustafa





