Arti pamor

“Profile Dardane” – piktura e artistit Isa Alimusaj shpallet fituese në “Peneli e Flakës së Janarit 2026”

“Profile Dardane” – piktura e artistit Isa Alimusaj shpallet fituese në “Peneli e Flakës së Janarit 2026”

Manifestimi “Flaka e Janarit 2026”, që ka filluar më 11 janar, e që është përshkruajtur me një varg aktivitetesh paraprake, ka vijuar më rrjedhën tradicionale sipas kalendarit të përvitshëm të aktiviteteve të parapara nga Komuna e Gjilanit, nën patronatin e kryetarit Alban Hyseni dhe në organizim e përkujdesje të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Gjilan.

Në ekspozitën “Peneli i Flakës 2026” – të mbajtur në Galerinë e Qytetit në Gjilan, në prani të artistëve e artdashësve të shumtë pjesëmarrës nga treva të ndryshme shqiptare është bërë ndarja e çmimeve për veprat më meritore e cilësore, pjesëmarrëse në konkursin e këtij edicioni të Manifestimit “Flaka e Janarit 2026”.

Kuratoni i ekspozitës, Sami Shabani në fjalën e tij hapëse të ekpozitës theksoi rëndësinë e manifestimit duke vlerësuar krijimet pjesëmarrëse në konkurs. Sipas tij, “Flaka e Janarit” për më shumë se 35-vite të jetëgjatësisë është kujtesë e gjallë historike dhe shpirtërore ku arti shndërrohet në gjuhë të përbashkët të qëndresës dhe identitetit tonë kulturor.

“Ekspozita e Arteve Pamore, si një nga shtyllat kryesore të këtij manifestimi mbetet hapësirë e rëndësishme e shprehjes artistike. Këtë vit ekspozita sjell një gamë të gjërë krijimesh artistike pamore që dëshmojnë laramaninë e veprave artistike si dhe teknikave e koncepteve, duke reflektuar realitetin bashkëkohorë me të cilën prezantohet kujtesa jonë kolektive dhe ndjeshmëria individuale”, tha ai.

Juria në përbërje Ahmet Ibrahimi, Miradije Shahiqi dhe Ragip Ramadani kanë vlerësuar krijimet pjesëmarrëse në kategori përkatëse në konkurs, me sa vijon: Çmimi për veprën më të mirë në konkursin “Peneli i Flakës 2026” në pikturë shkoi për artisin krijues, Arianit Lakna, ndërsa çmimi për veprën më të mirë pjesëmarrëse në konkursin “Peneli i Flakës 2026” në skulpturë i është ndarë krijuesit, Selam Kastrati.

Në emër të Shoqatës së Arteve Pamore në Gjilan, Avni Behluli e shpalli vendimin për fituesin e këtij edicioni të “Peneli i Fkakës 2026”, i cili i është ndarë artistit, artistit Isa Alimusaj.

“Shoqata e Arteve Pamore në Gjilan është një aset komunal e mbarëkombëtar, andaj, me blerjen e një vepre artistike, fondit të përgjithshëm të galerisë i shtohet edhe një vepër e rëndësishme arti, e njëzeteshtata me radhë, duke e pasuruar kësisoji Galerinë e Gjilanit akoma më shumë artistikisht”, tha Behluli..

Sipas tij, edhe këtë edicion u dëshmua me vet prezencën e artistëve e artdashësve se “Peneli i Flakës” është njëra nga ngjarjet e rëndësisë veçantë kulturore e artistike e cila grumbullon krijues arti të shumtë nga mbarë hapësira kombëtare, ndërsa si e tillë e lartëson qëllimin e manifestimit në kujtim e nderim të dëshmorëve e heronjve ndër breza, përmes veprave artistike pjesëmarrëse.

Edicioni i 35 i “Flakës … 2026”, vijon deri më 31 Janar, me një sërë aktivitetesh kulturore të parapara në vijim, nëpër shtyllat përkatëse: Arte Skenike – “Talia e Flakës”; Arte Letrare – “Pena e Flakës” si dhe Arte Muzikore – “Xixat e Flakës” e “Fest Flaka”, në kujtim e nderim të heronjve dhe dëshmorëve ndër breza.

You Might Also Like