LAJME

Shkolla e Futbollit “Miami” adresa e re për talentët e ardhshëm në Gjilan

Qyteti i Gjilanit, i njohur për traditën e tij sportive, tashmë ka në gjirin e tij një iniciativë të re që premton të rrisë standardet e edukimit sportiv. Çifti Taulant Byqmeti dhe Melisa Osmani, kanë bashkuar përvojën akademike për të hapur Shkollën e Futbollit “Miami”, një projekt që synon masivizimin dhe profesionalizimin e futbollit për gjeneratat e reja.

Rrugëtimi i dyshes drejt këtij projekti është i ndërtuar mbi vite të tëra përkushtimi. Taulant Byqmeti, dikur i njohur si “dirigjenti” i tifozërisë së flaktë “Intelektualët” të FC Dritës, sot është Magjistër (Msc) i Edukimit Fizik dhe Sportit, si dhe trajner i licencuar nga UEFA. Pasionin e tij të dikurshëm në shkallët e stadiumit, ai e ka transformuar në kompetencë profesionale për zhvillimin e talentëve të rinj.

Në krah të tij është Melisa Osmani, gjithashtu Magjistre e Edukimit Fizik dhe trajnere e licencuar me nivelet C dhe B të UEFA-s. Karriera e saj sportive përfshin një dekadë si futbolliste aktive, duke mbrojtur ngjyrat e KFF Drita, KFF Intelektualet dhe KF Kosova VR-Prishtinë. Përvoja e saj ndërkombëtare u vulos me një sezon në Çeki tek klubi i Brno-s, si dhe me përfaqësimin e Kosovës në vitin 2016 në Kampionatin Botëror të Futsallit për Shkolla, ku u renditën të pestat në botë. Ajo ka qenë gjithashtu bursiste e programit prestigjioz “Erasmus” nga Kolegji AAB.

Shkolla e re e futbollit “Miami” ka nisur tashmë anëtarësimin për fëmijët e të dyja gjinive, nga mosha 6 deri në 16 vjeç.

“Tani ka ardhur një moment ku duhet menduar për fëmijët tanë dhe gjeneratat e reja. Qëllimi ynë është t’i kyçim ata në mënyrë sa më masive në rrjetin e sportit,” shprehet Taulant Byqmeti.

Byqmeti thekson se kurrikula e shkollës do të përfshijë: Zhvillim taktik, teknik dhe fizik, përgatitje psikologjike e edukim teorik, pjesëmarrje në gara miqësore dhe turne zhvillimorë. “Së bashku me bashkëshorten, po hapim një kapitull të ri në sportin e komunës sonë, që fëmijët me fuqinë, guximin dhe pasionin e tyre, të fillojnë hapat e parë të karrierës duke ndërtuar një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse,” shton Byqmeti.

Një aspekt i veçantë që e dallon këtë çift, të cilët njihen edhe si afaristë të ndershëm në Gjilan, është fokusi tek fëmijët me nevoja të veçanta. Ata kanë paraparë programe specifike për përgatitjen e fëmijëve për Olimpiadën Speciale, duke e parë sportin si një mjet integrimi.

Melisa Osmani thekson rëndësinë e ndërtimit të karakterit përmes sportit: “Ne jemi këtu për t’i mbështetur në çdo hap të rrugës drejt suksesit. Për çdo futbollist, po kërkojmë që nëpërmjet futbollit të ndërtojmë ura miqësie dhe vetëbesim. Do të krijojmë hapësira gjithëpërfshirëse ku çdo fëmijë, pa marrë parasysh gjendjen e tij, mund të shkëlqejë me energjinë e tij pozitive.”

Me një staf profesional dhe metoda bashkëkohore evropiane, Shkolla e Futbollit “Miami” synon të kthehet në një nga akademitë më serioze në Kosovë. Çifti Byqmeti fton të gjithë prindërit që t’u besojnë fëmijët e tyre për t’u zhvilluar në një ambient të sigurt, profesional dhe edukativ. Regjistrimet janë të hapura dhe puna ka filluar me intensitet për të ndertuar kampionët e ardhshëm të Gjilanit dhe Kosovës.

You Might Also Like