Dy vozitës të automjeteve BMW X5, njëri me ngjyrë të kuqe dhe tjetri me ngjyrë të zezë, me targa vendore, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor. Njëri nga vozitësit ka drejtuar automjetin në shiritin e kundërt të lëvizjes dhe nuk është ndalur në shenjën e dritës së kuqe në semafor, ndërsa vozitësi tjetër ka kryer tejkalim në vijë të plotë, në afërsi të vendkalimit për këmbësorë pranë rreth rrotullimit, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Këto kundërvajtje janë identifikuar dhe dokumentuar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të vendosura në qytet.
Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor në Gjilan ka ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme operative, me ç’rast janë identifikuar vozitësit dhe ndaj tyre janë shqiptuar gjoba konform legjislacionit në fuqi.
Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafikut rrugor, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, të përshtatin ngasjen dhe shpejtësinë me kushtet e rrugës. Siguria në trafik është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon angazhimin e të gjithëve.




