
Shkruan: Arbëresha Xhemajli – Rukovci, historiane
Sot, më 11 maj, rikthehet në kujtesën time një nga datat më të rënda dhe më të paharrueshme të jetës sonë familjare, dita kur babi im u burgos nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë, më 11 maj 1999.
Kjo datë nuk është vetëm një kujtim personal i dhimbjes dhe frikës, por ajo është një dëshmi historike e sakrificës së intelektualëve shqiptarë që, edhe përballë represionit dhe dhunës shtetërore, nuk pranuan të heshtnin.
Historia e juaj babi nuk është thjesht historia e një individi. Ajo përfaqëson fatin dhe qëndresën e një brezi të tërë shqiptarësh të Kosovës, të cilët jetuan nën shtypje, por nuk hoqën dorë nga ideali i lirisë, dinjitetit dhe të drejtës për të jetuar të lirë në vendin e tyre. Është historia e një intelektuali që besonte se dija kishte mision, se profesori kishte përgjegjësi morale ndaj popullit të vet.
BABI, ju ishit ndër intelektualët e parë që guxuan të mendonin dhe të vepronin ndryshe në një kohë kur mendimi i lirë përbënte rrezik real. Ju ishit ndër themeluesit e partisë së parë politike shqiptare në ato vite të errëta, kur fjala “liri” shqiptohej me drojë, por ndjehej thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Në një realitet ku heshtja shpesh shihej si mënyrë mbijetese, ti zgjodhe të flisje, sepse për ty dinjiteti kishte më shumë peshë se frika.
Si profesor, ju nuk ishit vetëm transmetues i dijes akademike, ju ishit formues i ndërgjegjes qytetare dhe kombëtare. Në auditorë ligjëroje me përkushtim, por përtej literaturës, ju kultivonit te nxënësit ndjenjën e përgjegjësisë ndaj atdheut, guximin për të mos u nënshtruar dhe besimin e palëkundur se Kosova do të ishte e lirë. Për nxënësit, ju nuk ishit vetëm profesor, por udhërrëfyes moral.
Kur shpërthyen demonstratat studentore kundër regjimit serb, ju nuk zgjodhët të qëndronit në distance, ju zgjodhët të përballeni me armikun, sepse dole përkrah studentëve, përkrah rinisë që kërkonte të drejtën elementare për arsim në gjuhën shqipe, për barazi dhe për dinjitet. Me vendosmërinë dhe besimin tuaj, i udhëhoqët ata drejt protestave, duke u bërë shembull se si intelektuali nuk duhet të heshtë përballë padrejtësisë, por të qëndrojë në krah të rinisë dhe të së vërtetës.
Ju ishit i vetëdijshëm për rrezikun. E dinit se çdo hap drejt protestës mund të ishte një hap drejt burgut. Megjithatë, për ju, heshtja do të kishte qenë një formë më e rëndë robërie, prandaj dolët para studentëve jo vetëm si profesor, por si zëri i guximit dhe i shpresës në një kohë frike e represioni.
Dhe burgun e përjetove.
__________________________
Gjatë arrestimit tënd, unë isha vetëm 15 vjeçe. Sot 11 maji, sa kujtimet e freskëta i kam, sepse mëngjesi i kësaj date më kujton trokitjet e ashpra të policisë serbe në derën e shtëpisë nuk ishin thjesht trokitje, por ishin paralajmërim dhune. Policia serbe hyri në shtëpinë tonë me armë dhe urrejtje, duke përhapur frikë në çdo cep. Të drejtuan armën dhe të akuzuan si komandant të UÇK-së, madje pretenduan se edhe djali i juaj ishte ushtar. Ky ishte një skenar i tyre për të justifikuar arrestimin e juaj.
Pas bastisjes së shtëpisë erdhi koha që të fusnin në veturat e tyre, unë vrapova drejt teje për të përqafuar dhe duke të thirur me zë të lartë: “Babi!”. Në ato sekonda, armet u drejtuan drejt trupave tanë, ti u ktheve dhe u perqafuam, pa asnjë shenjë frike. Ishte një përqafim që të dy e dinim se mund të ishte i fundit. Në atë moment, dëgjova një polic që foli serbisht dhe i tha të tjerëve: “Lërini.” Ky gjest, aq i vogël për syrin e jashtëm, shpëtoi momentin tonë të fundit të afërsisë dhe na dha një frymëzim për të qëndruar të fortë.
Dhjetë minuta më vonë, policia serbe u kthyen përsëri, me synimin për të marrë edhe vëllaun e vetëm që kisha, por ti babi nuk e dije më asgje. Shtëpia jonë ishte shndërruar në hapësirë ankthi. Për të shpëtuar, vëllau im u detyrua të merrte një vendim që asnjë i ri nuk duhet ta përjetojë: kërceu nga kati i dytë mbrapa shtëpisë dhe u arratis nëpër oborret e fqinjëve, duke shpëtuar për një fije jete.
Pas largimit të juve dyve, filloi periudha më e gjatë e pasigurisë për familjen tonë, tani që kishim mbetur të vetme unë dhe mami.
Pas 11 majit ҁdo ditë unë dhe mami shkonim në dyert e objekteve policore, duke kërkuar vetëm një lajm për ty. Nuk kërkonim asgjë tjetër përveç së drejtës për të ditur nëse ishe gjallë. Por në vend të përgjigjeve, përballeshim me heshtje, përçmim dhe presion psikologjik. Na thoshin se “nuk e dinin” nëse ishe gjallë, linin të kuptohej se gjithçka ishte e mundur. Ishte një torturë e heshtur, e qëllimshme, një përpjekje për të na thyer shpirtërisht.
Babi, ti u burgose si i burgosur politik. Burgosja e juaj ishte përpjekje për të ndëshkuar një zë dhe për të frikësuar shumë të tjerë. Por historia ka dëshmuar se idetë nuk mund të mbyllen pas hekurave, se ideali i lirisë nuk shuhet me dhunë dhe se dinjiteti nuk arrestohet.
Sot, kur e kujtoj atë kohë me pjekurinë e viteve, e kuptoj më thellë madhështinë e figurës tënde. Ju ishit profesor, por edhe luftëtar i dijes. Ishit veprimtar politik, por mbi të gjitha ishe atdhetar.
Ishe baba dhe pa shumë fjalë, na mësove mësimin më të madh: se dinjiteti nuk negociohet, se liria kërkon sakrificë dhe se njeriu matet me qëndrimin e tij në kohë të vështira.
Historia e juaj babi është histori guximi, sakrifice dhe dashurie të pakushtëzuar për atdheun. Është dëshmi se në kohët më të errëta, drita lind nga ata që refuzojnë të përkulen.
BABI, gëzofsh shëndet spese po ky muaji MAJ është edhe muaji i ditëlindjes tënde.
BABI, faleminderit që më mësove dinjitetin, falë teje krenaria ime ka emër!
Bija e juaj ARBRESHA
11.05.1999 – 11.05.2026




