OPINION

KUSH E VOTON PUSHTETIN

Shkruan: Trimrron REXHEPI

Në çdo shoqëri ekziston një kategori njerëzish që nuk votojnë për ide, as për programe, as për vizion shtetëror. Ata votojnë për ndjesinë e përkatësisë, për interesin personal, për hakmarrjen sociale ose thjesht për komoditetin psikologjik që ua jep turma. Dhe pikërisht aty lind pushteti që nuk kërkon qytetarë kritikë, por besnikë.

Pushtetin e votojnë gjithmonë ata që kanë nevojë për të. Jo domosdoshmërisht financiarisht, shpesh emocionalisht. Njerëz që ndihen të humbur pa një flamur politik mbi kokë. Individë që identitetin personal e ndërtojnë mbi partinë, jo mbi vlerat. Ata nuk e mbrojnë pushtetin sepse është i suksesshëm; e mbrojnë sepse pa të ndihen ideologjikisht të zbuluar.

Një pjesë e tyre janë përfitues të drejtpërdrejtë të sistemit: militantë të punësuar, njerëz të lidhur me administratën, servilë të vegjël të pushtetit lokal, zëra anonimë që në çdo regjim kërkojnë një copë privilegj. Historia politike e Ballkanit i njeh mirë këta njerëz, ndryshojnë parullat, por jo mentalitetin. Dikur brohorisnin për partinë-shtet; sot brohorasin për “kauzën”. Në thelb, është i njëjti refleks: bindja ndaj forcës që kontrollon narrativën.

Në mesin e këtij mentaliteti mbijetojnë edhe nostalgjikët e vjetër të frymës titiste, njerëz që kurrë nuk e përqafuan realisht idenë e Republikës së Kosovës si shtet kombëtar e demokratik, por që gjithmonë e panë shtetin përmes syzeve të kolektivizmit jugosllav. Për ta, individi duhet t’i bindet masës, kritika duhet heshtur për “interes më të madh”, ndërsa pushteti duhet të ketë autoritet moral absolut. Ata nuk e duan republikën e qytetarëve të lirë, preferojnë psikologjinë e sistemit ku partia bëhet ndërgjegjja e turmës.

Pastaj vijnë fanatikët ideologjikë. Ata që nuk pranojnë kritikë ndaj liderit, sepse liderin nuk e shohin si politikan, por si figurë shpëtimtare. Për ta, çdo dështim i pushtetit është faj i “armiqve”, i mediave, i opozitës, i botës. Kjo është psikologjia klasike e militantizmit: partia nuk gabon kurrë, sepse pranimi i gabimit do të nënkuptonte shembjen e gjithë identitetit të tyre politik.

Ekziston edhe një kategori më e heshtur: njerëzit që e urrejnë vetë idenë e Republikës si projekt pluralist. Ata nuk e durojnë mendimin ndryshe, suksesin individual, lirinë për të kritikuar. Për ta, demokracia është e pranueshme vetëm kur fiton “ana e tyre”. Në momentin kur qytetari mendon ndryshe, ai shpallet tradhtar, i shitur ose armik i popullit. Kjo nuk është demokraci; është tribalizëm modern me kostum patriotik.

Dhe kështu, pushteti fillon të ushqehet jo nga qytetarët e lirë, por nga njerëzit që kanë frikë të mendojnë jashtë turmës. Sepse qytetari i lirë voton sot dhe ndëshkon nesër. Militanti, përkundrazi, fal gjithçka, mjafton të mos bjerë miti që ka ndërtuar në kokën e vet.

You Might Also Like