Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt Konferenca e 5-të Shkencore Vjetore, një nga ngjarjet më të rëndësishme akademike të universitetit, e cila këtë vit mblodhi profesorë, studiues, përfaqësues institucionesh, studentë dhe mysafirë nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Konferenca që do të mbaht dy ditë radhazi, u zhvillua nën temën “Ndikimi i Shkencës në Zhvillimin e Qëndrueshëm”, duke trajtuar çështje me rëndësi të veçantë për zhvillimin akademik, teknologjik, ekonomik dhe shoqëror.

Aktivitetet e konferencës nisën me regjistrimin e pjesëmarrësve dhe ceremoninë zyrtare të hapjes, ku u theksua rëndësia e kësaj ngjarjeje shkencore për avancimin e kërkimit, shkëmbimin e përvojave akademike dhe forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe ndërkombëtar.

Në fjalën hyrëse, Prorektorja për Kërkime Shkencore dhe Inovacione, Prof. Ass. Dr. Lindita Loku Nikçi, vlerësoi organizimin e konferencës si një platformë të rëndësishme për prezantimin e ideve inovative dhe rezultateve shkencore nga studiues vendorë dhe ndërkombëtarë.

Hapjen e konferencës e bëri Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin e tyre në zhvillimin e shkencës dhe arsimit të lartë. Ai theksoi se Universiteti Publik “Kadri Zeka” vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi me universitete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, duke e konsideruar kërkimin shkencor si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional. “Konferenca jonë tashmë është shndërruar në një traditë akademike, ku studiues dhe profesorë nga vende të ndryshme ndajnë njohuritë, rezultatet e hulumtimeve dhe përvojat e tyre profesionale. Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në krijimin e një ambienti cilësor për kërkimin shkencor dhe inovacionin”, tha Rektori Dërmaku.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale. Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, përgëzoi Universitetin Publik “Kadri Zeka” për organizimin e konferencës dhe për kontributin e vazhdueshëm në zhvillimin akademik dhe shoqëror të qytetit të Gjilanit. Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet universitetit dhe institucioneve lokale është i rëndësishëm për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë dhe për zhvillimin e komunitetit.

Ndërkaq, Angjela Uldedaj nga Kolegji Universitar Qiriazi në Tiranë vlerësoi rolin e arsimit dhe kërkimit shkencor në ndërtimin e një shoqërie moderne dhe konkurruese, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë me universitetin në projekte që lidhen me zhvillimin akademik dhe profesional.

Në kuadër të sesionit plenar, Presidenti i Këshillit Organizativ të Konferencës, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, prezantoi folësit kryesorë dhe programin e konferencës, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së studiuesve vendorë dhe ndërkombëtarë në këtë ngjarje shkencore.


Konferenca mblodhi profesorë dhe studiues të njohur ndërkombëtarë, të cilët ndanë përvojat dhe perspektivat e tyre akademike mbi zhvillimet bashkëkohore në shkencë, arsim dhe inovacion.Prof. Dr. Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në kërkimin shkencor dhe për nevojën e ndërlidhjes së universiteteve me trendet bashkëkohore të arsimit dhe inovacionit.

Prof. Dr. Amela Muratovic-Ribić nga Universiteti i Sarajevës theksoi rëndësinë e rrjetëzimit akademik dhe bashkëpunimit rajonal ndërmjet universiteteve të Ballkanit Perëndimor, duke potencuar rolin e konferencave shkencore në shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale.

Prof. Dr. Elena Kocaqi nga Universiteti i Durrësit vlerësoi organizimin e konferencës dhe rëndësinë e saj në promovimin e shkencës dhe avancimin e bashkëpunimit akademik ndërmjet universiteteve shqiptare dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, Aqim Emurli foli për sfidat dhe perspektivat e arsimit të lartë në rajon, duke theksuar nevojën për rritjen e cilësisë akademike dhe fuqizimin e kërkimit shkencor.

Një moment i veçantë i konferencës ishte ceremonia e ndarjes së Çmimit tradicional “Marin Barleti”, çmim që u kushtohet arritjeve të shquara akademike, kontributeve në kërkimin shkencor, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimit të ideve inovative në arsimin e lartë.

Presidenti i Këshillit Organizativ, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, lexoi vendimin e Rektorit për laureatin e këtij viti, ndërsa Çmimi “Marin Barleti” iu nda z. Aqim Emurli/ Shërbimi Universitar Botëror Austri (WUS Austria), nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.

Pas pranimit të çmimit, z. Aqim Emurli falënderoi Universitetin Publik “Kadri Zeka” për vlerësimin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e arsimit të lartë dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe studiuesit.

Më pas folësve kryesorë dhe programit të konferencës iu ndan certifikata nga Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku dhe nga Presidenti i Këshillit Organizativ, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi.

Punimet e konferencës vazhduan me gjashtë sesione paralele shkencore: EduDay Conference, Justice Conference, Economics Conference, DigiDay Conference, MathDay Conference dhe Social Science Conference. Në këto sesione u prezantuan dhjetëra punime shkencore nga profesorë, studiues dhe studentë, të cilat trajtuan tema nga fusha e arsimit, drejtësisë, ekonomisë, teknologjisë, matematikës, shkencave sociale dhe inteligjencës artificiale. Në sesionin EduDay Conference u diskutua për inovacionin pedagogjik, përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim, menaxhimin e klasës, edukimin inkluziv dhe kulturën e leximit te nxënësit.

Ndërkohë, Justice Conference trajtoi tema që lidhen me krimet kibernetike, dëshmitë digjitale, të drejtën ndërkombëtare, zgjedhjet demokratike dhe sfidat juridike në epokën digjitale.

Economics Conference solli diskutime mbi marketingun digjital, ekonominë e dijes, financat e qëndrueshme, transformimin digjital, përdorimin e inteligjencës artificiale në startup-e dhe ndikimin e teknologjisë në zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të DigiDay Conference u prezantuan projekte dhe hulumtime inovative në fushën e inteligjencës artificiale, Internetit të Gjërave (IoT), qeverisjes digjitale, robotikës, sistemeve inteligjente dhe aplikacioneve teknologjike për menaxhim akademik dhe shërbime publike.

MathDay Conference trajtoi tema nga matematika bashkëkohore, algoritmet, inteligjenca artificiale në edukim dhe aplikimet e matematikës në shkencat natyrore dhe teknologji.

Ndërsa Social Science Conference u fokusua në diplomacinë publike, integrimin evropian, transformimin digjital të administratës publike, politikat zhvillimore dhe sfidat gjeopolitike në rajon.

Në përfundim të konferencës, të gjithë pjesëmarrësve dhe prezantuesve të punimeve shkencore iu ndahen certifikata mirënjohjeje për kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre në Konferencën e 5-të Shkencore Vjetore të Universitetit Publik “Kadri Zeka”.

Konferenca do ti vazhdoj punimet edhe nesër, ku pjesë e agjendës së konferencës është edhe organizimi i takimeve të grupeve kërkimore dhe punëtorive shkencore mbi temat aktuale të kërkimit dhe zhvillimit, si dhe aktivitetet kulturore dhe rrjetëzuese për pjesëmarrësit.





