Futbolli di të krijojë histori të bukura, e një e tillë është e Veton Xhemajlit, dikur futbollist i Gjilanit dhe të birit të tij, Erlis Xhemajli, aktualisht futbollist i Dukagjinit. Historia njeh ngjarje kur futbollistë të dëshmuar kanë qenë prindërit dhe fëmijët e tyre, ndodh që suksesi të përcillet nga një brez te tjetri, por një histori e veçantë është është ajo e babait dhe birit, të cilët, ndonëse me 26 vite dallim dhe me fanella të ekipeve të ndryshme, arritën të ngrejnë trofeun e Kupës së Kosovës.

Veton Xhemajli, kishte ngritur Kupën e Kosovës në Futboll më 18 qershor 2000 në Stadiumin e Qytetit në Prishtinë e 26 vite më pas, saktësisht më 21 maj 2026, Kupën e Kosovës e ngriti edhe i biri i tij Erlisi, në po të njejtin Stadium, por tash me emrin e legjendës Fadil Vokrri.
Vetoni si futbollist i Gjilanit kontribuoi në fitimin e një prej trofeve më të rëndësishëm të futbollit kosovar. Ishte një moment krenarie që mbeti i gdhendur në kujtesën e tij dhe të tifozëve të klubit, kur Gjilani ka fituar trofeun e parë në liri, menjëherë pas luftës, në ndeshjen që e kishte zhvilluar ndaj Besianës, me një gol të shënuar nga Besnik Kollari.
Është ky trofeun i vetëm i Kupës së Kosovës që e ka fituar deri më tashti Gjilani, ndonëse disa herë ishte paraqitur në finale.
Plot 26 vjet më vonë, historia u përsërit. Këtë herë protagonisti ishte i biri, Erlis Xhemajli, i cili në vitin 2026 arriti të fitojë Kupën e Kosovës me një skuadër tjetër, atë të Dukagjinit, duke vazhduar traditën e suksesit sportiv të babait. Pas disa dështimeve në finale, Dukagjini ia kishte arritur të fitojë me rezultat 2:1 ndaj Ferizajt, ndonëse në këtë ndeshje Erlis Xhemajli, dy herë ishte ndëshkuar me kartonë të verdhë, andaj para kohe është dashur të lëshojë fushën.

Edhe pse rrugët e tyre në futboll ishin të ndryshme dhe fanellat që mbanin nuk ishin të njëjta, pasioni për lojën dhe dëshira për fitore i bashkuan në një arritje të rrallë.
Ky sukses dëshmon se futbolli nuk është vetëm sport, por edhe trashëgimi familjare, ku vlerat, përkushtimi dhe dashuria për lojën kalojnë nga një brez te tjetri.
Fitimi i Kupës së Kosovës nga babai në vitin 2000 dhe nga i biri në vitin 2026 mbetet një histori e veçantë, që do të kujtohet gjatë në futbollin kosovar.
Në fund, trofeu mund të ketë ardhur në kohë dhe rrethana të ndryshme, por krenaria e familjes mbetet e njëjtë – dy breza, dy kampionë të Kupës së Kosovës dhe një histori që meriton të rrëfehet. /kryelajmi.com/.





