Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka pritur në takim ambasadorin gjerman Jorn Rohde.
Në këtë takim kanë marrë pjesë nënkryetari për komunitete, Bojan Stamenkovic, drejtoresha komunale e Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, drejtori për Buxhet dhe Financa, Sinbad Sonki, si dhe këshilltarja e kryetarit Donjetë Demolli.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për sfidat me të cilat përballet Komuna e Kamenicës, si dhe bashkëpunimin me organizata të ndryshme nga Gjermania.
Kryetari Kastrati ka falënderuar ambasadorin Rohde për vizitën, duke thënë se përkrahja e Gjermanisë ka qenë mjaft e madhe si për Kosovën ashtu edhe për Kamenicën.
“Sot patëm në vizitë shkëlqesinë e tij ambasadorin Rohde, të cilin e falënderuam për përkrahjen e Kosovës e në veçanti të Kamenicës nga Qeveria e Gjermanisë përmes organizatave të ndryshme. Me ambasadorin diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit për të ardhmen, nevojat e komunës tonë, se si mundemi ta zhvillojmë më shumë këtë pjesë, që të ketë mjedis sa më të mirë për qytetarët. Po ashtu, kërkuam përkrahje në aspektin e diversitetit, bashkëjetesës së kombësive të ndryshme, për të gjitha projektet për qytetarët e Kamenicës, për të marrë mbështetje nga donatorë të ndryshëm”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa ambasadori gjerman, Jorn Rohde, duke falënderuar kryetarin Kastrati për mikpritjen, tha se kanë diskutuar për zhvillimin e Kamenicës në të ardhmen.
“Jam për herë të parë në Komunën e Kamenicës dhe kryetari më ka informuar rreth situatës ekonomike, arsimore dhe sfidave me të cilat përballet komuna. Ne diskutuam për mundësitë se si ta përkrahim Komunën e Kamenicës për projekte të ndryshme për të ardhmen. Është e rëndësishme që edhe komunat tjera të përkrahen sikurse kryeqyteti”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se do ta vizitojë sërish Kamenicën.