Asociacioni alternativ i shkrimtarëve të Kosovës , Ars Clubi “Beqir Musliu”,me seli në Gjilan, si projektues dhe organizues i pjesës letrare të Manifestimit kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit” 2021, të titulluar si “Pena e Flakës”, përkatësisht Grupi i Punës i kësaj shtylle të Manifestimit në përbërje Sabit Rrustemi, Albina Idrizi e Nexhat Rexha, ka bërë verifikimin e krijimeve të shpërblyera letrare nga ana e Jurisë profesionale ( Adem Gashi, Linditë Ramushi Dushku e Mehmetali Rexhepi ) dhe i konstaton këto gjetje:
- Poezia e shpërblyer me Çmimin e dytë nga ana e Jurisë, e titulluar BALADË, me shifër “Vetëm 5 minuta” autore e së cilës doli të jetë Rozafë Shpuza nga Shkodra, është publikuar më parë në gazetën ( Portal ) OBSEVERKULT, me datën 17 tetor 2019.
- Tregimi i shpërblyer me Çmimin e tretë nga ana e Jurisë letrare, i titulluar PALLATI I SORRAVE, pa shifër, që doli të jetë më pas i Bajramali Selimit nga Gostivari, gjithashtu rezultoi i publikuar me datën 3 janar 2021 në Portalin A NEËS 24
Nisur nga këto dy të dhëna, shihet qartë se publikimi paraprak i këtyre dy krijimeve e zhvlerëson anonimitetin e tyre dhe bie ndesh me kriteret e Konkursit anonim letrar, të bëra publike që nga 9 dhjetori i vitit 2020 e deri më 9 janar 2021, në faqen zyrtare të komunës së Gjilanit, në disa portale gjithashtu po edhe përmes rrjeteve sociale nga anëtarët e Ars Clubit “Beqir Musliu”,kritere këto që kanë qenë fuqi tash e tridhjetë vjet.
Prandaj, këto dy Çmime, anulohen vetvetiu.
Mbetemi me shpresë që raste të tilla të mos na përsëriten, e krijuesit letrar, kudo që ndodhen e krijojnë shqip, derën gjithnjë do ta kenë të hapur, në përputhje me traditën tashmë tridhjetëvjeçare të këtij Manifestimi.
Për Ars Clubin “Beqir Musliu”
Sabit Rrustemi,
Albina Idrizi
Nexhat Rexha