OPINION

Aqif Blyta, shembull i përfaqësimit të popullit në parlament!

   Shkruan: Ismet Azizi –

Aqif Blyta, i lindur dhe rritur në Pazarin e Ri, u shkollua në Akademinë Ushtarake më të njohur të kohës, në atë të Manastirit, ku ishte shkolluar edhe Kemal Ataturku. Aktiviteti i tij politik ishte halë në sy të kundërshtarëve, përkatësisht shtetit serb. Madje atë nuk e donin as të gjallë.

Ismet Azizi

Për këtë flet fakti, që përgjatë një periudhe më të bujshme të aktivitetit të tij, ai u plagos pesë herë; tri herë të tjera ishte në shënjestër të atentatorëve të shtetit serb, por të cilave fatmirësisht u shpëtoi. Po ashtu, u arrestua pesë herë dhe ishte edhe i dënuar, por ai nuk u ndal në rrugëtimin e tij, duke mbetur kështu një ndër personalitet më të shquara të politikës shqiptare.

Blyta ishte njëri ndër udhëheqësit e Xhemijetit ( Bashkimi) partisë së vetme politike të kohës, e cila përfaqësonte shqiptarët në parlamentin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene. Ishte fillimi i viteve të njëzeta të shekullit të kaluar, kur ushtaraku, intelektuali, nacionalisti, humanisti, e para se gjithash diplomati shqiptar, bashkë me Ferat Dragën dhe të tjerët, luftonin për të drejtat e shqiptarëve të trojeve të okupuar nga serbo-malazezët.

Derisa ishte ushtarak me qëndrim në Turqi, ku ishte shkolluar, përderisa tashmë kishte vendosur të kthehet në vendlindje, kolegëve të vet në prag të largimit iu kishte thënë: “Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue, ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku nat me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona“.

Me t`u kthyer në Pazarin e Ri, ra në kontakt me anëtarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, dhe u kyç në politikë. Secili anëtar i “Bashkimit”, që ishte anëtar i ndonjë nënkomiteti të tij, në këtë rast edhe Aqif Blyta, njëherazi ishte edhe anëtar nderi i Komitetit të Kosovës.

Në fillim të karrierës së tij politike, sekretar dhe udhëheqës i Xhemijetit për Sanxhak, kur u zgjodh deputet në parlamentin jugosllav, Aqif Blyta, i plagosur dy herë në luftërat e mëparshme, mësohet t’i ketë thënë të shoqes: “Plagët e trupit qenkan shumë herë më të lehta se ato që bajnë dhimbjet. Por lypset mos me u dëshprue se dhimbja për vatanin kthehet kurdoherë në gëzim kur shef një rreze shprese”.

Ai me qëndrimin e vet, me porositë dhe shkrimet e botuara u kthye në një tribunë të lirë të mendimit të vendosur nacionalist.

Gazeta “Vreme” në dhjetor të viti 1923, shkruan: “Blyta ishte me përvojë dhe njohës i mirë i rrethanave. Paraqitja më e dalluar e tij në Parlament ishte më 6 dhjetor 1923 në një takim të Komitetit Financiar. Blyta, në fakt, edhe pse nuk ishte në rend të ditës, pra, që kishte të bënte me buxhetin për vitin e ardhshëm, e hapi temën e vrasjen dhe

torturimin e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë dhe Gjakovë, nga ana e autoriteteve policore gjatë zgjedhjeve komunale të mbajtura në gusht 1923. Ai kërkoi që autoritetet të rrisin përpjekjet e tyre për të gjetur dhe ndëshkuar autorët e krimit. Në këtë takim Blyta nuk ka votuar për buxhetin e ri, i cili nuk është miratuar, dhe Ministri i Financave, Milan Stojadinoviq ishte i detyruar të japë dorëheqjen. Blyta me këtë veprim, tërhoqi vëmendjen e opinionit politik. Rebelimi i tij gjatë fjalimit dha shenjë për rënien e shpejtë të qeverisë. Kështu që, qeveria ra dhe u shpallën zgjedhjet e reja”.

Qeveria e demokratëve tashmë në nëntor të 1924 humbi mbështetjen dhe u shpallën zgjedhje të reja parlamentare gjatë muajit shkurt të vitit 1925. Aqif Blyta kësaj here ishte kandidat i Xhemijetit për qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Senicës. Megjithatë, forcimi Xhemijetit gjithnjë e më lirisht prononcimi i përfaqësuesve të tij dhe përafrimin me opozitën. Në të vërtetë Partisë Republikane Fshatare të kroatëve, në krye me Stjepan Radiç nuk i përshtatej Nikola Pashiqit.

Ai arriti që me mbështetjen e gjykatës, të organizon eliminimin e Xhemijetit nga skena politike jugosllave. Aqif Blyta dhe Ferat Draga etiketohen si persona që duhet të bënin presion policor në ta. Blyta vetëm gjatë periudhës nga 27 dhjetori të vitit 1924 deri më 6 shkurt të vitit 1925 arrestohet katër herë.

Aqif Blyta

Në ditën e zgjedhjeve, një grup i serbëve nga Pazari i Ri dhe komunat fqinje, mbështetës të radikalëve, me ndihmën e xhandarëve kishin maltretuar dhe rrahur rreth 200 myslimanë të shquar nga Pazari i Ri, për të parandaluar daljen në votime dhe të votojnë Aqif Blytën.

Në mesin e atyre që u rrahën ishte edhe babai i tij, Emin Blyta. Grupi ishte i armatosur me armë të ftohta dhe armë zjarri. Dhuna ka vazhduar edhe pas votimit, kur radikalët të udhëhequr nga shefi i qarkut Zhivko Shusiq, vranë tre banorë, dhe shumë të tjerë ishin maltretuar dhe grabitur. Blyta haptazi u kërcënua me vdekje.

Menjëherë pas zgjedhjeve filluan bastisjet në qarkun e Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Shtavicës (Tutinit) me pretekst kapjen e kaçakëve.

Në lidhje me ngjarjet e këtyre ditëve, gazeta “Politika“ e 27 janarit të vitit 1925, shkruan: “Blyta u arrestua për herë të parë më 27 dhjetor 1924, pa vendim paraprak të Asamblesë Kombëtare për heqjen e imunitetit parlamentar. Në të njëjtën ditë në mbrëmje ai u lirua në shtëpi, por i ishte marrë kartela e deputetit, e cila dëshmonte legjitimitetin parlamentar. Ai u arrestua përsëri më 15 janar 1925 në Pejë, gjatë përpjekjeve për të organizuar një takim të Xhemijetit. Ai u arrestua dhe ndalua për dy ditë me akuzën për përpjekje për organizimin e çlirimit të Ferat Dragës, i cili ishte në burg e Mitrovicës. Disa ditë më vonë në Gjakovë, Blyta, pas një atentati të dështuar ndaj tij, u arrestua përsëri. Së fundi, para zgjedhjeve më 6 shkurt është marrë edhe një herë në burg, këtë herë në Pazarin e Ri. Edhe pse kandidat parlamentar, Blyta zgjedhjet parlamentare të vitit 1925 i kaloi në burg…”.

Për likuidimin e Aqif Blytës, pushteti serb organizoi edhe dy atentate tjera, që për fat, kishin dështuar.

Zgjedhjet e viti 1925, në Pazarin e Ri dhe rrethinës kaluan, duke ushtruar dhunë të madhe ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve, dhe nga një numër i madh i parregullsive. Rezultatet e publikuara të Xhemijetit, për shkak të presionit nga ekzekutivi, nuk mund të konsiderohen si reale. Mandej, jo vetëm se nuk u publikuan numri i votave të fituara të Blytës, por, as nuk dihej numri i votave të fituara.

Me shpërbërjen e Xhemijetit u ndërpre edhe karriera politike e Aqif Blytës për vite me radhë, sepse veprimtaria e mëtejshme e tij publike nxiste presion të ri të pushtetit serb. Megjithatë, Blyta mbeti politikani më me ndikim në Pazarin e Ri dhe rrethinën e tij.

Blyta ishte personalitet i respektuar, tregtar dhe politikan në zë, por edhe simbol i rezistencës ndaj Beogradit dhe shtetit, të cilin populli i Sanxhakut kurrë nuk e pranoi plotësisht.

Nga ana tjetër, Blyta kuptoi avantazhet e pozicionit të tij. Ai rreth vetes mblodhi ish-anëtarët e Xhemijetit, me të cilët mbante kontakte. Duke “orientuar” votat e popullatës ushtroi ndikim të madh në zgjedhjen e udhëheqësve politikë serbë të qarkut të Dezhevës dhe Shtavicës. Ndikimi i tij është ndjerë në të gjitha zgjedhjet në këtë rajon deri në vitin 1941.

Dy javë pas sulmit të Beogradit, pasi kishte kapitulluar Jugosllavia, gjermanët mbërrijnë në N. Pazar. Aqif Blyta, me urtësinë e tij karakteristike, por edhe me ndjenjë nacionaliste, e njofton komandën e lartë gjermane me historinë e viseve shqiptare, të ndarë padrejtësisht nga shteti amë në vitin 1913. Për shkak se kjo pjesë e trojeve shqiptare i takonte zonës gjermane; dhe me këtë si pjesë e Serbisë, Aqifi organizoi

mbledhjen solemne të Komitetit Shqiptar, në të cilën u mor vendimi që kjo trevë të ndahet nga Serbia dhe t`i bashkëngjitet Shqipërisë.

Dinamika e zhvillimeve luftarake diktuan që në vjeshtën e vitit 1942 trupat gjermane u detyruan të lënë Pazarin. Duke përfituar nga kjo tërheqje, çetnikët serbë organizohen për pushtimin e qytetit. Por, Aqif Blyta bëri përgatitjet dhe nën komandë të tij tashmë ishin mbi njëmijë njerëz të armatosur, në mbrojtje të Pazarit të Ri.

Lidhjet e shkëlqyera me shqiptarët e Kosovës, të cilët mbanin pothuajse të gjithë pushtetin në Kosovë. Falë ndikimit të tij me udhëheqësit shqiptarë, Aqifi me kohë armatos pazarasit.

Periudha më e ndritshme, njëherit edhe periudha më e vështirë e Pazarit të Ri dhe rrethinës është ajo nga 2 tetori deri më 7 dhjetor të vitit 1941, nga rreziku permanent nga çetnikët. Për t`i bërë ballë kësaj situate Aqif Blyta kërkoi ndihmë nga Kosova, Peshteri dhe viset tjera. Grupi i parë prej 500 shqiptarëve nga Kosova arritën në Pazar më 7 tetor 1941, pas përfundimit të suksesshëm të luftës së Kolashinit, kundër forcave çetnike.

Më 10 nëntor të vitit 1941, në Pazar të Ri kanë qenë më tepër se 3.150 njerëz të armatosur. Këto forca ishin të komanduara nga 12 bajraktarë kosovarë. Në mbrojtje të Pazarit kanë rënë heroikisht 144 kosovarë. Çetnikët, në bashkëpunim edhe me partizanët gjatë 65 ditëve organizuan tre sulme në Pazarin e Ri. Ndërsa, forcat e udhëhequra nga Blyta kanë organizuar një kundërsulm të rreptë ndaj Rashkës. Mirëpo, strehimi i 420 serbëve të qytetit, Aqifi tregoi se është humanist.

Ndër punët më të lavdërueshme gjatë kësaj kohe në këtë trevë, ishte hapja e shkollës fillore shqipe “Naim Frashëri”, në Pazar të Ri, e cila u hap me dëshirën e popullatës dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Bedri Gjinajt e Aqif Blytës. Por, Blyta me kënaqësi përkrahu idetë e miqve të vet për organizimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilën organizatë politike kishte marrë detyrën e nënkryetarit.

Ndërkohë, fitoret e aleatëve në frontet kryesore të luftës, krahas tyre edhe sukseset e ushtrive partizane jugosllave, shqiptare dhe greke i detyruan trupat gjermane të fillonin tërheqjen nga Ballkani.

Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e çuan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacin publikisht para masës popullore të sjellë me dhunë ekzekutohet në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) më 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.

Aqif Blyta ka qenë një ndër personalitetet më të shquara të kohës së tij, gjatë Mbretërisë Jugosllave dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Aqif Blyta ka ditë të shfrytëzojë supremacinë e nazistëve gjermanë, të cilët kontrollonin një pjesë të rëndësishme të tokave shqiptare, për t’u lidhur me

kundërshtarin më të fuqishëm ndaj shtetit të Serbisë, por jo se e pëlqente doktrinën naziste si qëllim më vete. Ideologjinë fashiste nuk e ka shprehur në asnjë shkrim e në asnjë tubim. Gjatë takimeve me palën serbe është treguar shumë parimor. Ndonëse ka pasur poste kyçe, asnjëherë nuk ka ushqyer ndjenja shoviniste dhe hakmarrëse ndaj popullatës civile serbe. Aqif Blyta ka qenë antikomunist, por asnjëherë nuk ka ushqyer armiqësitë e skajshme ndaj njerëzve që kanë përqafuar atë ideologji.

You Might Also Like