Pas ndërprerjes së seancës së Kuvendit Komunal të Gjilanit, kryetari i komunës Alban Hyseni, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për medie.
Ai tregoi se i janë përgjigjur pozitivisht kërksave të opozitës lidhur me bartjen e buxhetit e çështjeve të tjera, pavarësisht se kërkesat e tyre nuk kanë të bëjnë fare me këto çështje.
“Jemi të gatshëm të bëjmë kompromise dhe të dakordohemi për buxhetin me projekte të opozitës që të vazhdojmë tutje punën në Kuvendin Komunal. Edhe pse deri tash nuk ka pasur projekte nga ata”, tha Hyseni.
Sipas tij ishin pesë pika të cilat kanë qenë në rend të ditës për t’u diskutuar në seancë: buxheti për vitin 2025 dhe planifikimi i hershëm për vitin 2026-2027, bartja e buxhetit 2.5 milionë euro, inkubatori i biznesit si një projekt shumë me rëndësi, raporti i punës së kryetarit për gjashtëmujor si dhe raporti financiar gjashtëmujor.
I pari i Gjilanit, tha se këto pika nuk janë miratuar as në Komitetin për Politikë e Financa, javën e shkuar edhe pse kemi insistuar të shkojnë për diskutim në KK.
“Ajo çka është me rëndësi të theksohet nga seanca, është se edhe përbrenda opozitës nuk ka një llojë harmonie të plotë për lëshim të seancës. Unë mendoj që të gjithë ata asambleistë që janë në Kuvendin Komunal, duhet të mendojnë me kokën e tyre dhe bindjen e tyre, e jo t’i binden urdhrave të parties, individëve”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, theksoi se çështja e buxhetit, bartja e buxhetit, por edhe projektet zhvillimore duhet të jenë votime me bindje personale, profesionale e jo bindje politike, që shkaktojnë bllokada e ngërqe në kuvend.
“Arsyetimi i fundit dhe kryesorja për të cilën sot u lëshua seanca ishte transparenca, ndërkohë që të gjitha mediet lokale, ishin edhe në seancë. Po ashtu seanca transmetohet edhe në faqen e Komunës së Gjilanit”, tha Hyseni.
Sipas tij, ekzsiton edhe përgjigja e MAPL-së, e cila ka konstatuar se Komuna e Gjilanit, i ka plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e seancave dhe është transparente.
Ai shtoi se një arsyetim i tillë nga opozita (LDK) vjen vetëm si pretekst për të lëshuar seancën e për të mos vazhduar.
“Nga ana jonë është tejet me rëndësi që vazhdon të ekzistoj gatishmëria e plotë siç ka qenë edhe më herët për të vazhduar tutje me punën e Kuvendit Komunal, nuk paraqitemi asnjëherë si palë që e bllokon procesin, ndërkohë që kemi bërë ftesa publike për të gjitha subjektet politike dhe në këtë formë po paraqitet një bllokim artificial kinse i prodhuar nga pozita, në mënyrë që neve si qeverisje të na nxjerrin keq, të bllokojnë punët tona dhe të dëmtojnë qytetarët”, tha Alban Hyseni.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, i bënë thirrje edhe njëherë të gjithë përfaqësuesve politik në KK, që nëse kanë gatishmëri dhe vullnet për punë të vijnë në seancë, të vazhdoi puna normalisht, të kalohen pikat që janë me rëndësi jetike për komunën, të vazhdoi puna normalisht dhe në tetor të miratohet buxeti.