Këto ditë, si begatim i Manifestimit tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, edicioni i shtatë 2016, u botuan dy numra të revistës letrare – kulturore AGMIA, organ i asociacionit alternativ të shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubit “Beqir Musliu”.
Numri i 17 i kësaj reviste shënon 20 vjetorin e shkuarjes në amshim të shkrimtarit të shquar shqiptar nga Gjilani, Beqir Musliut.
Njëra nga poezitë e tij të veçuara, “Komedia tekanjoze e historisë”, hap dhe numrin e revistës, e cila shoqërohet më pasedhe me një vështrim përmbledhës të studiuesit Prend Buzhala, “Profili krijues i Beqir Musliut”, i paraqitur dhe në pjesën letrare të Manifestimit “Flaka e Janarit” 2016, që iu përkushtua këtij krijuesi të shquar të letërsisë shqipe.
Pason një cikël poezish i poetit gjilanas, Xhevat Latifi. E, më pas revista letrare AGMIA, iu krijon hapësirë krijimeve të shpërblyera të Manifestimit “Flaka e Janarit”, krijimeve të marra për botim si dhe krijimeve që u lexuan në orën e madhe letrare, e njohur si “Pena e Flakës”.
Në vargun e krijimeve të shpërblyera, prijnë dy poezitë fituese të Manifestimit, ajo e Halil Matoshti me titull ” Udhëtimi i shpatës së Skënderbeut – Magna Carta” dhe ajo e Basri Çapriqit, “Terri”.
Vargut të krijimeve të shpërblyera i bashkangjitet edhe konkursi anonim letrar i Manifestimit “Flaka e Janarit” 2016, ku gjejnë vend krijimet e Ragip Sylajt ( vendi i parë për poezi), të Odise Plakut ( vendi i parë për tregim), pastaj të Biser Mehmetit e Mehmetali Rexhepit ( vendet e dyta për tregime), të Fadil Lepajës ( vendi i dytë për poezi si dhe të Myrvete Osmanit ( vendi i tretë për poezi) dhe Ismet Tafilit ( vendi i tretë për tregim ).
Nga krijiemt e marra për botim janë botuar tri krijime të deshifruara, një poezi e Nexhat Rexhës dhe dy tregime të Muhamet Halilit. Kurse në rubrikën “Pena e Flakës”, emërtim ky sipas Orës së madhe letrare të “Flakës së Janarit”, me nga një poezi prezentohen: Ibrahim Kadriu, Nikolla Spathari, Nehas Sopaj, Sadete Tërnava – Osmani, Bardhyl Maliqi, Linditë Doda, Mexhid Mehmeti. Zejnepe Alili – Rexhepi, Sherafedin Kadriu, Azem deliu, Arsim Halili, Sevdail Demiri, Sami Velçani, Ruzhdi Meta, Alketa Spahiu, Selvete Abdullahu, Alisa Velaj, Sarë Gjergji, Nuhi Sadiku, Rexhep Hasani si dhe poeti nga Danimarka, Michael Enevoldsen që gjithashtu ishte pjesë e sivjeme e Manifestimit “Flaka e Janarit”, mbajtur për të 25 herë me radhë, në Gjilan.
Ky numër përkushtues e preznetues i kësaj reviste përmbyllet me një studim të thelluar të prof dr. Anton Nikë Berishës, “Dashuria si qenësi jetësore dhe si shqiptim poetik” e që për shqyrtim ka poezinë e zgjedhur të dashurisë, të shkrimtarit gjilanas, Sabit Rrustemit, përfshirë në librin “Ndezje yjesh në zemër”, botuar vitin e kaluar nga Shtëpia botuese “Beqir Musliu” dhe me poezinë përkushtuese të Ramadan Mehmetit, në pjesën e pasme të ballinës, “Mbrëmja e dhembjeve”, e cila i dedikohet Beqir Musliut.