Përgatitur nga fermerët, kultivuar në tokën e Gjilanit, dhe mbështetur nga Komuna, konkretisht Drejtoria e Bujqësisë, sot është organizuar “Darka e Lamës”, një aktivitet tashmë tradicional i falënderimit ndaj Zotit për bereqetin vjetor me shijimin e produkteve dhe ushqimeve të ndryshme nën ambientin e hapur, nën shoqërimin e shumë miqëve të Gjilanit dhe Kosovës.
Zyrtarisht hapja e “Darkës së Lamës”, është bërë nga kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili para vetes kishte mysafir të shumtë, të cilët rastësisht iu bashkuan kësaj sofre duke nderuar fermerët dhe në përgjithësi Gjilanin, por njëkohësisht duke mbetur të impresionuar nga ushqimet tradicionale të servuara.
“Darka e Lamës”, është simbolikë e një kulture të gjatë te shqiptarët. Si aktivitet vjetor ka nisur të shënohet që nga koha e Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova, i cili gjithnjë ka promovuar produktet dhe bereqetin e sofrës Kosovare. Sot ne kemi miq të shumtë që po marrin pjesë në sofrën tonë të Gjilanit për këtë vit. Mikëpritja është e përhershme për miq, ndaj kjo sofër është e madhe dhe mysafirët janë nga një përfshirje e gjerë territoriale që e bënë madhështore këtë ditë të bujkut të Gjilanit. Kemi mysafir të shumtë nga 11 shtete të BE-së, pastaj kryetarë të 17 Komunave të Mikro-regjionit Gjilan-Kumanovë-Preshevë, përfaqësues në nivel ministrash të qeverisë së Kosovës, përfaqësues të ambasadave të Kosovës, organizatave të shumta dhe mbi të gjitha kemi ata të cilët përditë na bëjnë krenar me angazhim të pa ndërprerë, pra, sot kemi këtu fermerë të shumtë që krenohen me bereqetin që u ka dhënë Zoti dhe ne krenohemi me punën që ata bëjnë”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai gjithashtu është zotuar se kjo sofër do të pasurohet edhe më shumë gjatë të ardhmes, ngase mbështetja e Komunës së Gjilanit do të jetë gjithnjë e më e madhe dhe rezultati do të jetë sipas tij zgjerimi i veprimtarisë dhe zhvillimi ekonomik njëkohësisht.
“Sofra Gjilanase përherë ka qenë e begatë dhe kur asaj i është shtuar edhe mikëpritja, atëherë ajo nuk ka se si të krahasohet. Në të ardhmen mbështetja e Komunës do të jetë edhe më e madhe dhe përpos nevojave tona të Gjilanit për konsum ditor, do të punohet edhe më shumë për tregun jashtë komunës dhe jashtë shtetit”, ka thënë ai ndër të tjerash para shumë të pranishmëve.
Me fjalë rasti është paraqitur edhe zv.ministri i Bujqësisë, Vezir Januzi, i cili mes tjerash ka thënë se Gjilani përherë është dëshmuar me angazhime konkrete dhe me produkte të shumta në të gjitha fushat, por, sofra Gjilanase “Darka e Lamës”, është më e veçantë dhe po tregon bereqetin që është bërë në Gjilan.
Ndërsa Ramiz Ramadani, Drejtor i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan, ka falënderuar për angazhimin vjetorë që kanë bërë fermerët në punën e tyre të vazhdueshme por edhe kryetarin e Komunës Lutfi Haziri dhe Ministrinë e Bujqësisë për mbështetjen financiare.
“Gjithçka që është shtruar sot para nesh dhe gjithçka që konsumojmë gjatë tërë vitit është ajo që prodhohet nga kultura e lartë e përkushtimit në punën shembullore të bujkut gjilanas. S’ka më mirë se sa në sofrat tona të kemi produktet e tokës sonë. Njëkohësisht, nuk ka më mirë se sa të jemi krenar që kemi arritur të jemi pjesë e mbështetjes si institucion lokal për bujqësinë e Gjilanit. Bashkë me Ministrinë e Bujqësisë jemi koordinuar në një mbështetje më të madhe dhe në numër më të madh të familjeve të mbështetura, dhe rezultatet asnjëherë nuk kanë munguar, urojmë që çdo vit ta pasurojmë sofrën tonë me prodhime të reja”, ka thënë mes tjerash drejtori Ramadani duke i falënderuar të gjithë fermerët present dhe ata të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të jenë aty, duke i informuar se asistenca gjithnjë do të jetë më e madhe me buxhet dhe subvencione.
E në emër të delegacionit të Regjoneve të Bashkimit Evropian, Franz Schausberger, kryetar i Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor, ka thënë se ajo që ka parë sot në Gjilan dhe ajo që servohet në sofrën Gjilanase, është një veçanti e madhe dhe një llojllojshmëri begatie të kultivuara me gërshetimin perfekt si të ushqimeve moderne poashtu edhe atyre tradicionale.