Gjilan, 4 gusht 2017 – Drejtoria e Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, është e pakompromis ndaj të gjithë atyre që janë në kundërshtim me ligjin e ndërtimit dhe me kushtet e kësaj drejtorie.
Kështu sot përmes sektorit të inspektorëve të ndërtimit ky resor ka bërë rrënimin e mbindërtimit dhe largimin e pengesave nga rruga të cilat janë në kundërshtim me ligjin dhe kanë qëllim pengimin e lëvizjes së lirë.
Me këtë rast drejtori Valon Shefkiu, ka thënë se si Drejtori gjatë gjithë kohës janë në terren përmes ekipeve përgjegjëse, të cilat monitorojnë ndërtimet në Komunën e Gjilanit dhe tek ndërtuesit e pandërgjegjshëm veprohet edhe me masën e rrënimit.
“Sot kemi realizuar dy aktivitete të cilat kanë të bëjnë me një objekt ndërtimi dhe tjetri me largimin e një pengese në rrugë që ka penguar lëvizjen e qytetarëve. Në lagjen “Dardania”, konkretisht tek pronari i objektit të Basri Sulit, kemi bërë rrënimin e mbindërtimit, sepse i njejti ka tejkalim dhe është ndërtim pa leje të lëshuar nga drejtoria jonë si organ që është kompetent për ndërtimet në Gjilan”, ka thënë drejtori, Shefkiu.
Gjithashtu Shefkiu ka thënë se edhe në lagjen e “Gllamës” është larguar nga rruga një pengesë prej dheut që është hedhur nga një pronarë i tokës atje dhe kjo ka qenë pengesë për banorët e kësaj lagjeje.
“Të dy këto aksione, kanë kaluar me sukses dhe falënderojmë asistencën e përhershme të Policisë së Kosovës e cila gjithmonë na mbështet në aksione të tilla”, ka thënë mes tjerash drejtori Shefkiu.