Ballkani ndalet nga Feronikeli 74, barazon Prishtina e fiton Drita
Janë zhvilluar sot tri ndeshjet e javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Befasia e ditës ishte barazimi 2:2 në shtëpi i Ballkanit ndaj Feronikelit 74, i drejtuar nga legjenda Shefki Kuqi.
Suharekasit e panë veten dy herë në disavantazh, por në të dy rastet arritën të barazonin shifrat.
Ballkani tentoi që deri në fund të shënonte golin e fitores, por nuk ia doli.
Përkundër barazimit, Ballkani vazhdon si lider në tabelë me 44 pikë, shtatë më shumë se Llapi që luan të dielën ndaj Dukagjinit.
Me barazim 1:1 u mbyll sot dueli mes Gjilanit dhe Prishtinës.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, kurse gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 51-të nëpërmjet Jarovic.
Në minutën e 83-të, Ardian Limani me gol të bukur barazoi rezultatin.
Me këtë barazim, Prishtina shkon në 30 pikë në vendin e katërt, por tani shtatë më pak se Drita që është e treta.
Në anën tjetër, Gjilani ka tani 20 pikë në pozitën e tetë.
Fitorja e vetme sot erdhi nga Drita që mposhti në udhëtim Lirinë minimalisht 0:1.
Goli i fitores u shënua në minutën e 52-të nga Blerim Krasniqi.
Kjo fitore e ngrit Dritën në 37 pikë, aq sa ka edhe Llapi me një ndeshje më pak.
Kurse, Liria mbetet në pozitën e fundit me vetëm nëntë pikë gjithsej.
Të dielën zhvillohen edhe dy takimet e tjera të javës së 20-të.
Malisheva e pret Fushë Kosovën, kurse Dukagjini udhëton për t’u përballur me Llapin.