Futboll

Drita i kthehet fitoreve

Drita e Gjilanit i është rikthyer fitoreve pas disa barazimeve radhazi dhe tashti është ngjitur në pozitën e tretë. Në ballafaqim me Besën e Pejës, Drita ka dominuar tërësisht dhe pas një pjese të parë pa gola, në pjesën e dytë ekipi gjilanas ka qenë më konkret duke shënuar dy herë.

Dy zëvendësime që i bëri kryetrajneri Milaim Zuzaku dhanë fryt, ngase pikërisht inkuadrimi i Livorekës dhe Kryeziut ishte i duhuri.

Në minutën 68, Livoreka shpërtheu nga e majta dhe harkoi në brendi e aty afër u gjet Kryeziu, i cili futi topin në rrjetë.

Pasi ka pranuar gol, Besa u hap dhe kjo iu hakmor, ngase pak minuta më pas, Drita organizoi një kundërsulm të shpejtë dhe nëpërmjet Xhevdet Shabanit, që ka futur topin në portën e zbraztë e arriti golin e dytë.

Mysafirët ranë tërësisht e sidomos kapiteni i tyre, Papuqi, i cili i pakënaqur me zëvendësimin që iu bë e zvarriste daljen nga fusha, andaj gjyqtari i tregoi kartonin e dytë të verdhë dhe e përjashtoi nga loja.

You Might Also Like