Ilmi Musliu –
Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e tij të katërt (12.12.2000) emëroi komisionin për përzgjedhjen e emblemës së Komunës, me këtë përbërje: Fatmir Rexhepi, Nazmi Musa, Izmi Zeka, Sabri Shaqiri, Nagip Berisha, Mursel Jashari.
Në seancën e 6-të (5.01.2001), Kuvendi ka marrë vendim për përsëritjen e konkursit, por komisioni ka mbetur i njëjti.
Vendimi për caktimin e emblemës, është marrë në seancën e 13-të (31.08.2001).
Sipas këtij vendimi, punimi i autorit me shifrën “FLONI” zgjedhet për emblemën e qytetit të Gjilanit.
Punimi për emblemë i autorit me shifrën “FLONI”, sipas vlerësimit të komisionit i përmban të gjitha kriteret e kërkuara me konkurs, siç janë:
– Elementet nga lashtësia e qytetit (Sahat Kulla, Kalaja e Pogragjës, etj)
– Elementet nga arkitektura dhe zhvillimi bashkëkohor i qytetit (13-katëshja).
Shenja e emblemës do të përdoret si shenjë identifikimi në të gjitha dokumentet e lëshuara nga organet e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, objektet e Kuvendit të Komunës dhe institucionet komunale.
Pjesë përbërëse e këtij vendimi është emblema – punim origjinal i autorit me shifrën “FLONI” – Qamil Llapashtica nga Gjilani.
Punimi i përzgjedhur, sipas konkursit, është shpërblyer me 2.000 marka gjermane.
Me këtë emblemë, Gjilani identifikohet prej afër 18 vitesh.