Një yll i ri po ngrihet me hapa të sigurt në futbollin kosovar. Erdi Bajrami, i cili sapo ka mbushur 16 vjeç, është shndërruar në një emër premtues dhe një mur të pakalueshëm për kundërshtarët në radhët e grup-moshave të reja.
Erdi e filloi karrierën e tij para 8 vitesh në akademinë e KF Shkëndija, ku mori hapat e parë dhe bazat e futbollit. Prej një viti, ai ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke iu bashkuar skuadrës së FC Drita U17.
Me një shtatlartësi 1.85 metrash, pozita e tij natyrale është ajo e qendërmbrojtësit, aty ku dominon duelet në ajër dhe ndërhyrjet vendimtare. Megjithatë, shkathtësia dhe vizioni i tij në fushë i lejojnë të luajë mjaft mirë edhe si mbrojtës i majtë, duke i dhënë trajnerit opsione të vlefshme taktike.
Nuk është rastësi që stili i tij i lojës kërkon përsosmërinë; idhulli i tij është legjenda italiane, Paolo Maldini, i njohur gjerësisht si një ndër mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit. Duke u frymëzuar nga eleganca dhe lidershipi i Maldinit, djaloshi nga Kosova synon të lërë gjurmët e tij.

Pavarësisht moshës së re, Erdi ka një vizion shumë të qartë për të ardhmen e tij dhe mbetet me këmbë në tokë. Përtej suksesit me klubin gjilanas, ëndrra e tij është që një ditë të përfaqësojë vendin e tij në arenën ndërkombëtare.
“E dua futbollin dhe çdo ditë e më shumë punoj që të ndërtoj një karrierë të mirë dhe të suksesshme. Tani jam me krenari pjesë e Dritës, ku do të jap gjithmonë më të mirën time në çdo stërvitje dhe ndeshje, në mënyrë që të kemi sa më shumë suksese si klub. Ndërsa, ëndrra ime më e madhe mbetet që në të ardhmen të mbroj ngjyrat e Kombëtares së Kosovës,” thekson 16-vjeçari, duke treguar dashurinë e madhe për lojën dhe fanellën.
Ky përkushtim, disiplinë dhe talent nuk kanë kaluar pa u vënë re nga stafi teknik i klubit. Trajneri i FC Drita U17, Erdonis Selimi, flet për potencialin e qendërmbrojtësit të tij.
“Erdi është një futbollist jashtëzakonisht i talentuar. Tani e një vit ai është në mesin tonë, është duke punuar shumë mirë dhe po tregon profesionalizëm. Duke parë ecurinë e tij, në të ardhmen ky futbollist pritet të ketë një karrierë të madhe,” shprehet trajneri Selimi.
Erdi Bajrami është padyshim një nga ata lojtarë emrin e të cilit pritet ta dëgjojmë shpesh në vitet në vijim, si në elitën e futbollit kosovar, ashtu edhe më gjerë.




