Gjilan

Gjilani përkujton 18 vjetorin e masakrës së Llashticës

Emrush Selimi nga Llashtica e Gjilanit e ka të vështirë sot derisa e kujton tmerrin që ai me bashkëfshatarët e tij e kishin përjetuar 18 vite më pare, kur forcat militare e paramilitare serbe vranë në mënyrën më çnjerzore 26 civilë shqiptarë.

Në mesin e të vrarëve është edhe babai i tij, Aliu, për të cilin tregon se edhe e ka pasur lejeqëndrimin e Gjermanisë, por i është bashkuar familjes në ditët e rënda.

“13 prillin e vitit 1999 ka qenë një ditë e vështirë dhe e papërshkrueshme. Ka qenë ofenzivë e tmerrshme e forcave serbe, duke i vrarë e masakruar 26 bashkëfshatarë, në mënsin e të cilëve ka qenë edhe baba im, Ali Selimi. Përveç kësaj, torturuan shumë njerëz, na dëbuan të gjithëve dhe na i dogjën shtëpitë. Thjeshtë, mund të them se Lashatica për Anamoravë është sikur Reçaku”, rrëfën Emrushi, teksa i dridhet buza nga kur e kujton atë ditë.

Pikërisht sot, institucionet komunale të Gjilanit kanë vënë kurora lulesh para varreve të 26 martirëve të Llashticës, në mesin e të cilëve janë pleq e plaka dhe nxënësi 11 vjeçar Lulzim Musliu.

“Sot jemi këtu në përkujtim të rënies së 26 martirëve, ditë kjo e rëndë për Llashticën dhe për mbarë Kosovën. Ata ranë për të mos vdekur kurrë dhe që ne sot të jetojmë të lirë, të bashkuar e të dinjitetshëm. Familjet duhet të jeni krenare me sakrificën e tyre, sikur që jemi edhe ne. Në Llashticë nuk u kursyen as pleqtë, plakat e fëmijët siç është Lulzimi, gjaku i të cilëve u bë shkas që ne të jetojmë të lirë. Lavdi e përjetshme”, ka thënë pas homazheve, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i cili shoqërohej nga kabineti i kryetarit Haziri.

Në këtë përvjetor, para familjarëve të të vrarëve, nënkryetari Kadriu ua ka kumtuar lajmin se me iniciativë të kryetarit Haziri, shumë shpejt do të fillojnë punimet për ndërtimin e varrezave të martirëve.

E, Emrush Selimi nuk ka harruar t’i falënderoj institucionet komunale për respektin dhe kujdesin që kanë treguar për të nderuar jetën dhe veprën e këtyre martirëve, përderisa ka kërkuar zbardhjen sa më parë të kësaj masakre.

“E falënderoj Komunën e Gjilanit që ishin këtu për ta ndarë dhembjen me neve në këtë ditë të rëndë. Veçanërisht, e falënderoj kryetarin Haziri për inicimin e projektit për ndërtimin e varrezave të martirëve tanë”, ka përfunduar Selimi.​

You Might Also Like