Gjilani ia ka dalë që edhe ndeshjen e tretë t’a mbyll pa humbje dhe kështu mbetet në kreun e tabelës. Pas fitores që kishte shënuar ndaj Besës dhe barazimit që e pati Feroniklin, në ndeshjen e tretë, të parën si mysafir, Gjilani ka barazuar me rezultat 1:1 në ballafaqim me Llapin e Podejëvës.
Pjesa e parë është përmbyllur pa gola, ndonëse të dy ekipet patën raste të mira shënimi. Me të nisur pjesa e dytë, Llapi ka ardhur në epërsi me rezultat 1:0. Pas harkimit të bukur të Namanit, Miran Maksuti gjendet për mrekulli në zonë dhe zhbllokoi rezultatin. Vendasit sërish patën raste të mira, por në minutën 71, Betim Haxhimusa realizon një gol tejet të bukur duke e paraboluar Ademinin, 1-1. Gjashtë minuta pa mbaruar ndeshja Gjilani pati mundësi të fitoj, por Karahoda nuk arrinë të godasë portën i vetëm. Protesta të ashpëra pati nga mysafirët në pretendim për penalti, kurse në fund ndeshja u mbyll pa fitues.