Gjilan

Komuna e Gjilanit ka investuar në fshatrat e Grykës së Karadakut

Komuna e Gjilanit ka mbajtur mbrëmë debat publik në Zhegër, që është i 28-ti për vitin 2016.

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, ka thënë se ndihet shumë i nderuar me pjesëmarrjen masive të qytetarëve të Zhegrës.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar me këtë masovitet. Ne Grykën e Karadakut kemi mbajtur edhe dëgjime buxhetore dhe qëllimi është që t’i marrim kërkesat tuaja në mënyrë që t’i fusim në planifikim dhe miratimi i buxhetit të qeverisë të përputhet me këto kërkesa”, ka thënë Haziri.

Ai ka përmendur faktin se gjatë këtij mandati, Komuna e Gjilanit ka investuar në fshatrat e Grykës së Karadakut me të gjitha mundësitë e saj, duke thënë se me intensitet edhe më të madh do të vazhdohet në vitin e ardhshëm.

“Është përfunduar me sukses shkolla e Shurdhanit. Kemi asfaltuar shumë rrugë të domosdoshme sikurse edhe kanalizim e ndriçim në të gjitha fshatrat e Karadakut. Kemi filluar edhe me ndërtimin e rrugëve të arave dhe pas 40 vjetësh po ndodhë kjo. Palestra e sportit tashmë është në fazën finale të fillimit të ndërtimit, derisa e kemi prioritet edhe ndërtimin e shkollës fillore në Haxhaj. Përfundimisht, për ato punë që e kemi marrë mandatin, po i realizojmë. Po e zgjidhim njëherë e përgjithmonë problemin e lloçit dhe vadave”, ka thënë Haziri.

Me pyetje, kërkesa e lëvdata janë paraqitur Hamzi Osmani, Rrahman Agushi, Ali Tahiri, Fehmi Maloku, Flamur Hamiti, Gëzim Tahiri etj., të cilat kryesisht kishin të bënin me ato në ndërtim të infrastrukturorës rrugore.

Duke iu përgjigjur të gjitha interesimeve, kryetari Haziri u zotua se kërkesat që kanë dalë nga ky debat publik, do të fusin në planifikim për vitin e ardhshëm.

“Është shumë i rëndësishëm fakti se i kemi i barazuar investimet në qytet dhe fshatra. Kemi krijuar balancë”, ka përfunduar kreu i Gjilanit.

You Might Also Like