Gjilan, 13 dhjetor 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), ku ka zhvilluar takim informues me stafin aty, për t’i parë nga afër punët, problemet e sfidat.
Kryetari Hyseni bëri të ditur se janë bërë disa përgatitje në DKA, duke shtuar se do të ketë edhe hapa të tjerë që duhet të ndërmerren në vijim.
“Sot takova të gjithë stafin e Drejtorisë së Arsimit dhe u njoftova nga afër me problemet e sfidat që na presin. Është periudhë kur kemi pak pushime, është sezoni i dimrit dhe kemi shumë obligime e angazhime të cilat na presin. Duket që kemi bërë disa përgatitje, por kemi edhe hapa të tjerë në vijim që duhet t’i ndërmarrim dhe në këtë formë ta përmbyllim këtë pjesë të arsimit deri në festat e vitit të ri dhe festat tjera zyrtare dhe në këtë mënyrë ta kemi suksesin për nxënësit tanë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Shefi i arsimit në DKA, Nexhat Hajrullahu, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për vizitën dhe ofrimin e mbështetjes, duke thënë se e informuan për rrjedhat e deritanishme, për gjendjen aktuale dhe për sfidat, duke shpresuar që do të kenë rezultate të përbashkëta.
“E falënderojmë shumë për kujdesin dhe kjo tregon që në ditën e dytë të punës është një përkushtim për njërin nga sektorët më të rëndësishëm – arsimin”, ka thënë Hajrullahu.