ARSIMI

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli vizitoi Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli së bashku me këshilltarin tij kryesor Ilmi Ramadani, kanë vizituar Universitetin “Kadri Zeka”, ku janë pritur nga rektori Bajram Kosumi, prorektorët, dekanët dhe sekretari i përgjithshëm i Universitetit.

Pavarësimi i Universitetit nga MASHT, gjetja e një zgjidhjeje për kampusin universitar, rritja e buxhetit, rritja e numrit të punëtorëve të lejuar për punësim, si stafit akademik edhe atij administrativ, ishin çështjet kryesore që u diskutuan në këtë takim.

Paraprakisht Rektori Bajram Kosumi prezantoi para Kryetarit të Kuvendit të arriturat që janë shënuar dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky universitet. Ai e falënderoi kryetarin Veseli për interesimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që po i bënë Universitetit “Kadri Zeka”, duke kërkuar nga ai që t’i adresoj shqetësimet që janë ngritur në këtë takim të cilat kërkojnë përgjigje nga institucionet qendrore. Me këtë rast Kryeparlamentari Veseli është impresionuar me të arriturat e UKZ-së, si universitet me katër vite themelim, dhe ka ofruar mbështetje në zhvillimin e mëtutjeshëm.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më pas ka takuar Kryetarin e Parlamentit të Studentëve Mehmet Zylfiu dhe disa nga studentët e Universitetit “Kadri Zeka”, me të cilët ka diskutuar rreth shqetësimeve që ata kanë. Ai u ka thënë studentëve se institucionet e vendit janë duke punuar për zgjidhjen e problemeve që i shoqërojnë institucionet arsimore në përgjithësi në ngritjen e cilësisë dhe eliminimin e defekteve burokratike, derisa ka kërkuar që të ketë një angazhim nga të gjithë për të përmirësuar gjendjen që ka të bëjë me tregun e punës për të rinjtë që studiojnë dhe përfundojnë shkollimin adekuat.

You Might Also Like