Libri

Librat më të mirë për t’i lexuar gjatë muajit nëntor

 

Shkruan: Erdë Mehmeti

Nëntori po vije, e me ardhjen e tij, nëntori na sjell aromën e librave.

Librat janë harta për ta dërguar mendjen në bota imagjinare, ku gjithçka është aq perfekte sa ne nuk duam të kthehemi në realitetin ekzistues. Në libra ne fluturojmë me dragonjtë, bisedojmë me engjëjt, i këndojmë hënës, e dashurohemi me diellin. Të lexuarit të jep ndjenjën e të kërcyerit zbathur në shi , e ndjenjën e të medituarit para një oqeani i cili nuk përfundon, ashtu si mendja pa kufi e shkrimtarëve, të cilët janë krijuesit e parajsës në tokë. Nuk ka asgjë më të bukur në jetë, se sa të shfletosh kapitujt e një libri, me një kafe në dorë, gjersa jashtë i ftohti ka filluar të përqafojë gjelbërimin e natyrës. Pra, nëntori është muaji perfekt për të lexuar, e zhvilluar imagjinatën tënde.

Këta janë librat më të mirë për t’i lexuar gjatë këtij muaji:

  1. Franc Kafka – “Metamorfoza”

Edhe pse një libër shumë i shkurtër, të mbetet në mendje përgjithmonë, duke trajtuar një temë shumë filozofike.

Metamorfoza e Franz Kafkës eksploron degradimin dhe fuqinë transformuese të tjetërsimit. Ndërsa protagonisti i tij, Gregor Samsa, zgjohet dhe e gjen veten të transformuar në një insekt. Narratori rrëfen këtë ndryshim të çuditshëm në një mënyrë të drejtpërdrejtë, duke vendosur në të njëjtën kohë tonin absurdist të tregimit dhe duke sugjeruar një univers që i mungon rregulli dhe drejtësia. Transformimi i burgosur i Gregorit, simbolik i kushteve të ekzistencës së tij, e ndan atë fizikisht dhe emocionalisht nga familja, kolegët e tij dhe njerëzimi në përgjithësi.

  1. Dostojevski – “ Net të bardha”

Edhe ky libër është shumë i shkurtër, mirëpo gjatë leximit, teleportohesh në jetën e personazhit kryesor, duke ndjerë melankolinë nën lëkurën tënde.

Ashtu si shumë nga tregimet e Dostojevskit, “Netët e bardha” tregohet në vetën e parë nga një narrator pa emër. Narratori është një i ri që jeton në Shën Petersburg, i cili vuan nga vetmia. Ai njihet dhe bie në dashuri me një grua të re, por dashuria mbetet e pashpërblyer pasi gruas i mungon i dashuri i saj, me të cilin më në fund ribashkohet.

  1. Yuval Noah Harari – “Sapiens – Një histori e shkurtër e njerëzimit” 

 

Nëse je i/e pasionuar nga historia, atëherë nuk duhet të kaloj nëntori pa lexuar këtë libër.

Gjithëpërfshirës, i thellë, provokues dhe i guximshëm: Libri Sapiens ka sfiduar gjithçka që kemi ditur rreth qenies njerëzore: Mendimet tona, veprimet tona, fuqia jonë … dhe e ardhmja jonë. Një bestseller absolut përgjatë tre viteve të fundit në Amazon dhe të gjitha platformat globale të shitjes së librit. Libri, duke u fokusuar në Homo sapiens, anketon historinë e njerëzimit, duke filluar nga epoka e gurit e deri në shekullin e njëzet e një. Llogaria ndodhet brenda një kuadri që kryqëzon shkencat natyrore me shkencat shoqërore.

  1. Xhejn Osten – “Krenari dhe paragjykim”

Ky roman sjell një histori dashurie, nga më të bukurat e letërsisë angleze. Pena e përsosur e Xhejn Ostenit e tërheq lexuesin në një univers që i përket po aq të kaluarës sa edhe të tashmes, në një shoqëri ku ballafaqohen materializmi dhe ndjeshmëria, qenia femër dhe mashkull, e vërteta dhe gënjeshtra. Krenari dhe paragjykim vërteton largpamësinë e Xhejn Osten, e cila vëren që ligjet e tregut të lirë do t’ia ndryshojnë një herë e përgjithmonë faqen shoqërisë. Nëse dikur jeta e individit ishte e programuar që në lindje, në varësi të shtresës, familjes, apo titujve, shoqëria e tregut të lirë do të ofrojë mundësi të reja të panumërta. Jo vetëm ka ardhur koha që femrave t’iu ofrohen të njëjtat mundësi si meshkujve, por dhe që të shpërblehet merita personale. Pyetja që shtrohet në roman është: “Si duhet zgjedhur bashkëshorti, për para apo me dashuri?” Ajo që duhet ta zgjidhë këtë dilemë, është heroina e saj, vajza inteligjente, me humor e botë të pasur dhe mbi të gjitha me kërkesa. Vajza që ia njeh vlerën vetes dhe që nuk pranon të jetë viktimë e kompromiseve monetare, por do ta ndërtojë jetën me një bashkëshort që mund të quhet shok. Dhe ajo është Elizabeta Benet.

1.Dostojevski – “Krim dhe ndëshkim”

Arsyeja se pse Dostojevski ndodhet dy herë në këtë listë, është se ai me të vërtetë di se si ta përqojë ndjesinë e vjeshtës ngjyrë kafe në librat e tij. Krim dhe ndëshkim është pa dyshim vepra më e fuqishme e F.M.Dostojevskit. Një libër që të përpin. Ndoshta nga të rrallët libra që mund të lexohen shumë herë. Magji e psikanalizës së vërtetë. Në të shkrimtari trajton konfliktin, në themel të të cilit qëndron lufta e ideve. Dostojevski bën analizën më të thellë të gjendjes së personazhit në momentin më të tensionuar e të turbulluar të jetës së tij. Në momentin e vrasjes ai zbulon botën e tij shpirtërore në periudhën para dhe pas kryerjes së krimit. Personazhi kryesor i romanit është Rodion Raskolnikovi, një djalosh i pashëm, student i përjashtuar nga universiteti për shkak të varfërisë.

(Autorja është gazetare praktikante në Gazetën Online kryelajmi.com)

You Might Also Like