Gjilan, 10 maj 2021 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur se po kalojnë ditë të zeza pas tragjedisë së familjes Haliti, e cila në Shqipëri ka humbur tre anëtarë.
Këto komente Haziri i ka bërë në konferencën për media, të së hënës, i cili tha se është njoftuar për gjendjen e rënduar të kësaj familjeje më 7 maj.
“Unë jam njoftuar për gjendjen e rënduar të kësaj familjeje më 7 maj. Menjëherë kemi shprehur interesimin dhe komunikimin drejtpërdrejt edhe përmes ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, ka qenë gjithçka e vonshme dhe këta tre anëtarë të familjes Haliti u shuan”, ka thënë Haziri.
“Gjilani po kalon ditë të zeza, duke u solidarizuar me familjen Haliti për këtë humbje të madhe e cila, po ashtu, duhet ta përballojë këtë gjendje pasi tre djem dhe një vajzë të moshës madhore janë trashëgimi e kësaj familje”, ka shtuar Haziri.
Kreu i Gjilanit tha se po e presin rezultatin zyrtar të hetimeve të institucioneve të shtetit shqiptar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë.
“Me 8 maj zyrtarisht jam njoftuar nga institucionet e Shqipërisë për ndërmarrjen e veprimeve urgjente të organeve të shtetit, që përfshinë krimet e rënda, për fillimin e hetimeve dhe ndërmarrjet e para hetimore. Presim rezultatin zyrtar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë”, përfundoi Haziri.