Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan ka mbajtur sot Kuvendin e nëntë Zgjedhor, ku me mbështetje absolute të 101 delegatëve është rizgjedhur kryetar i Degës edhe për një mandat katër vjeçar Lutfi Haziri, sikurse edhe kryesia dhe delegatët për Kuvendin Qendror të partisë.
Kuvendin e kanë përshëndetur Imri Ahmeti nga kryesia qendrore, Lutfi Zharku nga kryesia qendore, Lirije Kajtazi, kryetare e Forumit të Gruas në nivel të Kosovës, kryetari i Degës së Kamenicës, Shaip Surdulli, Hasan Alia, nënkryetar i Komunës së Vitisë, Hasan Rashiti, kryetar i Degës në Kllokot dhe përfaqësuesi i Degës së LDK’së në Zvicër, Ismet Mjaku, të cilët këtë Kuvend e kanë vlerësuar si model edhe për Kuvendin Qendror të partisë.
Kryetari i rizgjedhur i LDK’së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka falënderuar 101 delegatët për mbështetjen absolute, duke thënë se ky është besim i madh dhe një përgjegjësi edhe më e madhe për të.
“Kjo është përbërja më e mirë dhe më reprezentative që është zgjedhur sot më mbështetjen tuaj unanime. Sot janë zgjedhur aktivistët dhe profesionistët më të dëshmuar, duke përfshirë edhe gruan, e edhe rininë. Pra, në LDK duhet të afrohen të tjerët, e jo të përjashtohen. Dhe jam shumë i lumtur dhe krenar me këtë unitet dhe mbështetje të jashtëzakonshme që erdhi nga njerëzit e zgjedhur”, ka thënë kryetari Haziri.
“Ju suguroj që për mua antërët e LDK’së janë më të rëndësishëm se funksionarët. Së bashku do ta kombinojmë një lidership lokal i cili del nga strukturat e Këshillit Drejtues, njërëz që kanë përvojën e qeverisjes në dy shkallët dhe njerëzit që bartin përgjegjësi në të kaluaren 30-vjeçare, duke i përfshirë të gjitha grupmoshat. Ruane këtë besim sepse nuk do t’ju dëshpëroj. Ju faleminderit pafund”, pohoi Haziri.
Përndryshe, këtë procss zgjedhor e karakterizon fakti që afro 50 për qind të të zgjedhurve nëpër nëndegë janë emra e personalitete të reja në struktrurë, me pjesëmarrje të mbi 6 mijë njerëzve, përderisa janë zgjedhur 980 aktivistë e veprimtarë.
Gjilan,
5 korrik 2019