OPINION

Miratimi i “tejkalimit të turpit” Urban!

bahrije-mahmuti            Shkruan: Bahrije Mahmuti Beqiri -Arkitekte

/letër e hapur anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit/

Duke pas parasysh se Plani rregullues “Qendra 4”, nga ajo që pata rastin të lexojë në media, fatkeqësisht paska kaluar nëpër Komitetet përkatëse, për t’u proceduar tutje në Kuvendin Komunal të Gjilanit për miratim, ku tani do të kërkohet edhe deklarimi me votë i anëtarëve të nderuar të Kuvendit, po e ndjejë për obligim moral dhe profesional të ju drejtohem juve anëtarë të këtij organi, si profesioniste e fushës së Urbanistikës që jam, lidhur me këtë çështje. Njëkohësisht, ky adresim i imi le të jetë edhe karshi qytetarëve të Gjilanit, për shkak të shqetësimit të përhershëm për ta, pasi ndjejë përgjegjësi profesionale ndaj tyre, por njëkohësisht le të jetë ky adresim edhe ndaj profesionistëve të kësaj fushe përkatëse.

Duke qenë profesioniste e fushës së Urbanistikës, përvojën time profesionale e kam ndërtuar, hap pas hapi, sfidë pas sfide, bashkërisht me ju dhe për ju, që bashkërisht të kemi një zhvillim urban i cili i jep jetë qytetarëve tanë. E them këtë, për arsye se gjatë hartimit të Planit Rregullues Urban të Komunës (PZHK), Plani Zhvillimor Urban (PZHU) është punuar me një angazhim të madh të një spektri të gjerë të shoqërisë sonë profesionale dhe civile dhe me një fillim të ri për gjithë ne, në këtë fushë të planifikimit, pra me një vullnet dhe elan të fuqishëm, por me një vizion krejt ndryshe nga ky zhvillim urban që sot po e jetësojmë dhe me e keqja po e formalizojmë jashtë asaj që është bazament i ndërtuar për shumë vite, e me shumë mundë, e që kjo për mua ka një emër “Kushtetutë Urbane” e Komunës – (PZHK-PZHU).

Pra, kur jemi te Plani Rregullues “Qendra 4”, fatkeqësisht shohim se ajo tani më qenka adresua në Kuvend me tentativën për t’u votuar dhe miratuar. E, them fatkeqësisht, për arsye se nga fillimi i hartimit të këtij plani ka munguar transparenca dhe është mohuar dhe censuruar çdo hap në këtë proces. E fatkeqësi është edhe kur mund të dëgjojmë se si gjoja projekti na qenka përgatitur nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit dhe se si ky na qenka rasti i parë në Kosovë që një Sektor Planifikimi bën hartimin e një dokumenti të tillë hapësinor.

E unë e ndjejë përgjegjësi të ju njoftojë se vërtetë është hera e parë që procedohet me këtë formë të tejkalimeve ligjore duke mos u marrë në konsideratë mendimi profesional i profesionistëve-

planerëve urbanë – aq sa kanë mbetura në kuadër të sektorit të planifikimit, por të cilët profesionalisht e njohin në çdo pëllëmbë dhe me çdo përgjegjësi ligjore të fushës së planifikimit hapësinor.

Plani i prezantuar para trupave institucional, por që do të jetë tani edhe para kuvendarëve, nga ana e këndvështrimit tim profesional tejkalon të gjitha kriteret që burojnë nga PZHU, andaj edhe kontributdhënësit në hartimin e këtij plani (PZHU) e kanë të lehtë të identifikojnë këtë zhvillim po të kthehen në retrospektiv me proceset e kaluara të planeve në letër dhe planeve të implementuara në hapësirë dhe ta prekin mendësisht dhe vizuelisht – por, kjo është e prekshme vetëm nga ata që duan ta dinë dhe ta shohin!

Gjilani me këtë plan-formal është jashtë çdo kriteri të përcaktuar në PZHU! (Tentativë e ngutshme për ta formalizuar ligjërisht!). As që do të duket bukur, as që do të funksionojë mirë, veçse do ta ngulfat gjeneratën e ardhshme për të jetuar dhe vepruar, e për këtë unë ndjejë përgjegjësi për t’i thënë sot këto fjalë.

Përndryshe, këtë shqetësim timin profesional e kam debatuar me kohë edhe me profesionist të fushës brenda Drejtorisë së Urbanizmit, përkatesisht Sektorit të Planifikimit. Po ashtu këto shqetësime i kam shpërfaqur edhe para ekspertëve të pavarur të kësaj lëmie. Por, fatkeqësisht përveç që kam pas përkrahje në çështjet që i kam ngritur, bile disa kanë qenë më të zëshëm ndaj këtyrë parregullsive, fatkeqësisht çdo gjë ka përfunduar me përfundimin e debatit.Kjo nuk ka rezultuar me veprime konkrete bazuar me përgjegjësinë profesionale që kemi, për të më lënë të vetme në këtë rrugtim të kundërshtisë të diqkaje që është e jashtëligjshme dhe kundër etikës sonë profesionale .

Ndryshe, ky adresim publik ka të bëjë edhe me atë se si urbaniste me përvojë të filluar po në këtë fushë dhe si kontributdhënëse, (sado e vogël) në hartimin e planeve zhvillimore të qytetit tonë, po ndihem keq dhe e thyer profesionalisht që ato po degradohen nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe po ashtu nga vet profesionistët e kësaj fushe –Arkitektët.

Pra, po sfidohem sot para jush që të reflektojë nesër përballë sfidës së madhe -para fëmijëve të mi dhe besoj edhe të fëmijëve tuaj.

Po e përmbylli këtë letër për ju nderuar me një fjalë të urtë domethënëse dhe analogji timen: “Kur mendësisë së ligë, i del tamli mbi përshesh – inxhinierëve të papërgjegjshëm, u del turpi në shesh”.

You Might Also Like