Gjilan

Ja kush thotë se po vijnë ditët e mira për kombin

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur të premten pasdite një seancë solemne për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, ku ka marrë pjesë edhe Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, e shoqëruar nga ambasadori Qemajl Minxhozi, me ç`rast ajo ka mbajtur edhe një fjalë rasti para anëtarëve të asamblesë së këtushme.

Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, në hapje të kësaj seance ka thënë se 28 Nëntori është një ditë historike për mbarë kombin tonë, e cila e bën të lumtur dhe krenar çdo shqiptar, kudo që jeton.

Ndërkaq, Lutfi Haziri, kryetar i Komunës, duke e përshëndetur ministren Mimi Kodheli, ka thënë se ajo është e lidhur që herët me çështjen e Kosovës.

 

Ardhja e saj në Gjilan, si ministrja e parë e Mbrojtjes që viziton këtë komunë, është mirënjohja më e madhe që u bëhet kryengritësve të kësaj ane, të cilët luftuan për t`i bashkuar shqiptarët, kudo që janë.

 

“Në këtë rrugëtim të pambaruar, tani është detyra jonë ta vazhdojmë luftën me mjete tjera, që idealet e heronjve tanë t`i çojmë përpara dhe t`i bëjmë realitet” ka thënë Haziri.

 

Ministrja Mimi Kodheli, në fjalën e saj para anëtarëve të Kuvendit Komunal në Gjilan, tha se për historinë e kësaj treve të lashtë, që ndodhet në një qoshe të Kosovës, ka pasur mundësi të dëgjojë e mësojë shumë nga shkrimet e Sami Frashërit, qysh sa ishte në shkollën e Tiranës.

 

Duke hedhur një vështrim mbi gjendjen aktuale të shqiptarëve në Ballkan, ajo tha se ditët e mira nuk kanë ardhur ende për kombin tonë, por që ajo kohë të mos vonohet tepër, ministrja Kodheli ka kërkuar të punohet së bashku.

 

“Në këtë rrugëtim, që do të dëshiroja të ishte fillimi i një epoke tjetër, ne duhet të jemi bashkë në vendimmarrje, sepse kemi për të bërë akoma shumë punë”, ka thënë Kodheli.

 

Ajo e ka nënvizuar edhe rolin dhe rëndësinë e faktorit ndërkombëtar në këtë proces, por ka rikujtuar se punët kryesore duhet t`i bëjmë vetë, nëse duam që, siç ka theksuar Kodheli,  fëmijëve tanë t`iu sigurojmë një të ardhëm më të mirë.

 

“Ne kemi miq dhe ky është fat i madh për ne, por gjerat kryesore duhet t`i bëjmë vetë dhe ato mund t`i bëjmë vetëm duke qenë së bashku”, ka thënë ministrja Kodheli.

 

Duke u ndërlidhur me simbolikën e 28 Nëntorit, ajo tha se një flamur kaq i mirë si yni, nuk gjendet tjetër, edhe sikur t`i rreshtojmë të gjithë flamujt  e botës.

 

Përndryshe, paraprakisht, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, është pritur nga kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, në zyrën e tij, ndërkohë që pas seancës solemne ka vizituar ekspozitën tematike për nder të ditës së flamurit, në galerinë e arteve pamore si dhe ka ndjekur shfaqjen e Trupës së Baletit Kombëtar “Xhulieta pa Romeon”, që teatrin  e qytetit në Gjilan.

 

Aktivitet për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, në Gjilan, do të zgjasin tri ditë.

You Might Also Like