Libri

SHKATHTËSITË NË FUNKSION TË FIGURËS POETIKE

Sherafedin KADRIU

SHKATHTËSITË NË FUNKSION TË FIGURËS POETIKE

Poezia e këtij vëllimi poetik është e zhgënjyer me të vërteten reale, prandaj kërkon një të vërtetë tjetër, atë shpirtërore, në mos atë abstrakte, ku rrëshqasin imazhet e së keqes, të cilat i kërkon deri në thellësitë e arsyeshmërisë duke i paraqitur përtej dukjes e reagimit medoemos. Kjo thellësi kuptimore me vlera të larta artistike funksionon si përmbajtje konkrete e ndjenjës së copëzimit në katrahurën e imazhit konfliktual.

Poezia e Naim Fetajt është karakteristike për disa elementë letrarë që duhet theksuar medoemos. Në radhë të parë do duhej përmendur një rrjedhë emocioni që nuk ka nevojë të ripërpunohet, pse vjen e veshur artistikisht, duke përçuar mesazhin poetik që njëkohësisht është mesazh filozofik, politik, ekonomik, social, etik etj.
Në radhë të dytë, poezitë janë me tematikë nga më të ndryshmet, të cilat karakterizohen për strukturim të metaforizuar këndshëm si lirikë poetike. Paraqitja e motiveve organizohet si pikturim peizazhesh, ku dinamika e ndjenjave mund të krahasohet me thellësinë kuptimore të burimeve të mirëfillta popullore. Në këtë përvijim, jo vetëm në vëllimin më të ri poetik “Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë”, poeti del njohës i mirë i vlerave të letërsisë popullore, prandaj edhe di edhe do, që copëza jete etnografike t’i ushqejë me shije artistike. Kjo mënyrë strukturimi, a ky proces veprimi, arrihet nëpërmjet qëmtimit dhe kombinimit të shprehjeve, si dhe gjetjeve të vendeve në tërësinë poetike, si meset fonike aktive, prandaj në poetikën e Fetajt secila shkathtësi është në funksion të figurës poetike.
Vështruar kujdesshëm, poezitë e Fetajt trajtojnë botën humane të një etnie njerëzore në gjeografi administrative të ndryshme, megjithatë dominuese del të jetë gjeografia ku takohesh me diellin për herë të parë. Në mos qoftë kjo arsyeja pse këtij vëllimi poetik i mungon vargu vajtues që si onomatope lidhej me Jugun e Shqipërisë, të cilin e kemi hasur në veprat e mëparshme të Fetajt. Autori ka vepruar drejtë, edhe ashtu nuk është e nevojshme që gjatë shfrytëzimit të brumit të letërsisë popullore të shkohet deri në limitin e shfrytëzimit.
Tetë cikleve (Busulla e dhembjes, Gaca dhimbjesh nën hiri, Kurthim stinësh, Njëqind vjet dimër, Kujtesë e vargëzuar, Dënesje jete, Kur puqeshin dy faqe dhe Pesha e një loti) u prin poezia “Zogjtë nuk janë si ne” që është lajtmotiv i strukturimit poetik të fatit real e artistik të poetit Fetaj, prej nga doli titulli i librit, rrallë i formësuar kuptimisht në këtë trajtë organizimi “Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë”. Kjo poezi vëzhgon veprimet dhe sjelljet njerëzore nëpërmjet dyshimit se si do t’na kundronin zogjtë që për autorin janë dyshime të admirueshme në raport me keqveprimet e vetë njeriut, ndërsa realizimi i kumtimit të tillë bëhet nëpërmjet figurës së krahasimit: Zogjtë nuk janë si ne, fytyrë nuk ndërrojnë.
Jo vetëm në poezitë e ciklit Busulla e dhembjes, autori del i zhgënjyer tej mase me të drejtë për shumëçka që shkon keq në vendin e tij dhe të vetmit njeri, të cilit mund t’ia rrëfejë atë zhgënjim të thellë është nëna. Nuk ka tjetër person. Nuk gjen një tjetër të dytë. Ani pse nëna moti ka ikur në botën tjetër. Sërish, më lehtë dhe më me dashuri se nënës, nuk mund t’i rrëfehet as vetës e as botës së tij filozofike për prapësinë që e sollën kriminelët, para të cilëve gjithçka ka rënë në harresë qëllimisht; para të cilëve nuk guxon të flasësh sepse Kriminelët të vrasin e të flasin për krime. E si të mos jetë shok i zhgënjimit deri në fund, nëse pas lirisë së fituar i duhet të konstatojë:

Mirë që nuk je gjallë nëno
Çfarë mut kohe ka ardhë…

Ky është kulmi i së keqes. Deri këtu ka arritur e keqja. Një post scriptum vjen si zbrazje nga një botë tjetër, edhe ashtu gjeografi tjetër.

P.s.
As atje mos trego se kishe ndonjë djalë…
Më fal …më fal…

Poezia “Letër nënës në varr”përbëhet nga nëntë këngë, ku secila prej tyre është një tërësi në vete, por assesi e shkëputur, përkundrazi inkorporohet natyrshëm në tërësinë e quajtur “Letër nënës në varr”. Secila këngë sjell një situatë ndryshe, një mendim të formësuar e të qëndrueshëm, ndonjëherë një botë filozofike, e herë tjetër krejtësisht botën etike, gjithnjë si strukturim artistik:
………………………………………….
Në listat e tyre ti ende ishe gjallë
E mua më dinë të vdekur
Po mirë është mirë
Ne po tredhim miza
Ata po brejnë hekur
Tung nënë, tung
Gjak po rigon ky shekull…
Kënga 9, f. 13.

Poezia tjetër Të kam përkundur në këngë, vjen trembëdhjetë vjet pas ikjes së nënës në amshim, duke shpërfaqur atë dashurinë njerëzore për të, me që dritëhijet jetësore i kanë përcaktuar udhën e rritjes, edhe kurdo të mbetet fëmijë, bile në ëndrra, po as në to nuk mbetet dot se rritja si proces sjell ankthin e ndalimit. Një kontrast i rrallë në këtë poezi është për t’u përmendur patjetër, kontrast të cilit i prin qartësia. Poeti është kënaqur me krejt ninullat në prehrin e nënës, si secili fëmijë në prehrin e nënës së vet. Dhe vjen dashuria që zbardhet me tri vargje:

Trembëdhjetë vjet pa ty… një jetë e rëndë
Gjallë të mbajta në vargje …
Të përkunda në këngë.
Të kam përkundur në këngë, f. 14.

Dhe ja vargu i fundit edhe njëherë. Poeti i drejtohet nënës:Të përkunda në këngë. Ka të drejtë Edgar Alan Poe, kur konstaton se poezia shkruhet për hir të vargut të fundit. Prandaj, nuk është e tepërt të thuhet se gati secila poezi e Naim Fetajt, mund të shihet në prizmin e këndvështrimit të E.A. Poes.
Poezia tjetër Diçka e pathënë për nënën…, na e sjell krejt ndryshe një nënë që i kënaqet dashurisë së djalit të saj me vashën, teksa kujtesa barit takimin me “një mace në thes”! Kjo është nëna me ata sytë diell sa një det të thellë, që si metaforë blerimi ka zënë vend vetëm dy herë në jetën e saj… Sa lumturi ta kesh përkrah nënën!
E kundërta, mjerë kush ndien dënesjen e nëmën e saj, edhe tinëz në u bëftë (Tinëz kur dëneste nëna), se është aq e madhe, aq e fuqishme sa verën e djeg flakë, edhe dimrin, pse jo?

Zhgënjimi në pamjen poetike

Poezia e këtij vëllimi poetik është e zhgënjyer me të vërteten reale, prandaj kërkon një të vërtetë tjetër, atë shpirtërore, në mos atë abstrakte, ku rrëshqasin imazhet e së keqes, të cilat i kërkon deri në thellësitë e arsyeshmërisë duke i paraqitur përtej dukjes e reagimit medoemos. Kjo thellësi kuptimore me vlera të larta artistike funksionon si përmbajtje konkrete e ndjenjës së copëzimit në katrahurën e imazhit konfliktual:

Pushkë e penë moj nënë
M’i morën të marrët…

Po ma mësuan durimin,
Durim kam si varret
(Letër nënës në varr)

Kritika e këtillë poetike, thjeshtë e tejkalon aktualitetin letrar, madje as që duhet diskutuar. Nuk është pakënaqësi çasti a momenti. Është pakënaqësi pas lirisë. Po prandaj, autori vetëm nëpërmjet personifikimit mund të shpërfaqte pritjen hiperbilistike:

Ah liria ime e përgjakur rreth syri
Sall ty me të pa qysh duhet
Do rroj sa rron ulliri…
(Ah liria ime)

Me gjithë faktin se zhgënjimi nuk e lë të qetë në asnjë moment, poeti huazon një çast ngushëllimi për t’i kënduar simbolit të kullës, – Kullës së Jasharajve, e cila “themelet i ka në gjak/ e kulmin në legjendë. Bukur e thënë. Vargje të goditura më së miri. E si të mos gjenden fjalë të tilla për atë kullë monument në çfarëdo aspekti? Por, por jo monument i së shkuarës, ani pse ka shumëçka nga Kulla e Oso Kukës, e Kamer Loshit, a e Tahir Mehës! Është monument i së ardhmes! Monument i së ardhmes! Hej, ti Kulla e Jetës, teksti i këtillë ta ka shtuar magjinë. Teksti i këtillë me këtë gjuhë të thjeshtë e të gjallë njëkohësisht që kërkon nga poeti punë më shumë se zakonisht për të arritur gjer aty ku ka synuar. E synimi i poetëve të këtillë është fisnikëria e veprës së tyre që bartet nëpërmjet përshtypjeve, edhe atëherë kur nuk e thotë shkoqur vetë teksti.
Poezitë e këtij cikli, si ai Strellciani im i luftës, Liria po na çmend, Moj Kosova ime…., Tehu i tmerrit, etj. sjellin para lexuesit një kaos paslirie, ku vlerat etike dhe estetike nuk janë më të perceptueshme sipas poetit. Në këtë kontekst, nuk mund ta lidhësh fijen, veçse aty ku është këputur, do të thoshte M. Kundera. E kush është ai që e prek nyjën. Xhixha buba!

Fryma poetike e këtij vëllimi poetik

Këqyrë nga këndi tematik, secili cikël përmban poezi përkatëse të asaj teme. Nëse nga cikli Njëqind vjet dimër, do t’i përmendnim poezitë: Azil kërkojnë dhe varret, Kur i vramë më të mirët, Rapsodi mbi varre, kjo nuk do të thotë se poezitë tjera janë më pak interesante. Ndërsa, në ciklin Kujtesë e vargëzuar, kanë zënë vend poezitë përkujtimore, të cilat për personazhe kanë figura të njohura kombëtare dhe figura familjare të poetit, pozicioni i të cilit zbardhet nga fryma poetike jo vetëm e këtij cikli në këtë vëllim poetik.
Përkundër zhgënjimit që shpërfaqet në të gjitha ciklet në mënyra të ndryshme gjithsesi, cikli i titulluar ndjeshëm Kur puthen dy faqe, na dërgon në një botë krejtësisht tjetër, ku edhe zhgënjimi është i ëmbël:

Edhe në më vrafshin bash si Sali Sylën
A si Zekë Hajdinin…
pushkët më bëfshin shoshë
Kam me ta zënë rrugën diku kësaj vere
E me ta puthë atë faqe
E tymi i daltë si në Loxhë
(Mikes së rinisë)

Nuk mund ta tejkalosh lehtë këtë poezi, me këto fjalë kaq të thjeshta po me disa detaje të ndryshme që rrallë i gjen në poezi të këtilla. Fryma e poezisë është dashuria dhe jo vetëm fryma, edhe ndonjë veprim. Radhazi vjen kënga për hijeshinë mashkullore që metaforizohet me emrin e Sali Sylës; guximi mashkullor që simbolizohet nga shkallët e Zekë Hajdinit; pushkët në pritë, zënia e shtegut, puthja si katarsis; tymi që del si në Loxhën e luftës çlirimtare. Edhe njëherë, të gjitha këto detaje në frymën e dashurisë për miken e rinisë. Dhe po të kërkosh edhe më, gjen ende detaje tjera, që do të përmbylleshin me shprehjen “Ku rasha, mos u çofsha!”, e jo si ajo thënia e tipit tjetër: “Ku rasha mos u vrafsha!”.
. . . të thënat dhe të dhënat që mbledh nga të tjerët, nga ndonjë vizitë vendlindjes, për të shprehur zhgënjimin në fusha të ndryshme jetësore, nyjëtimi i parë dhe i dytë i të cilave shpërfaq më shumë se druajtjen për shkatërrimin e shtetit, më përpara se bërjen e tij më të mirë, më demokratik, më ligjor, se shtet njerëzor do ky poet, se shteti është i njerëzve, ose duhet të jetë. Kjo frymë zhgënjyese përtej limitit poetik e zhvendos poezinë e Fetajt në postmodrnizëm. Por, kur fillon e diskuton për të tilla prapështi, ai gjen fajtorët vetëm në njërin kamp, në atë kampin e zi, që shkatërroi nismën e mirë sipas tij, ndërsa kampi i poetit pra, është kamp atdhetari, i pagabueshmi, çlirimtari, jo përfituesi, thënë shkurt, është e mbara dhe e bardha. Ky është perceptimi i tij për konceptin aktual sociologjik në shoqërinë tonë. Tjetër është fakti nëse lexuesi pajtohet me të vërtetën imagjinare të poetit, se të vërtetën reale ai e ka njohur qysh dje, e di kush ishte vlerë e kush antivlerë, ai njeh fort mirë edhe të sotmen historike reale me të cilën përballet çdo ditë.
Krejt në fund do të thoshim pa droje se poezia e Naim Fetajt tashmë është pjekur mirë, si për stilin, si për strukturën dhe si për veçoritë gjuhësore. Në aspektin stilistik sjell një model ndryshe edhe për një rimë të realizuar nëpërmjet emrash që i jep një shije të veçantë vargut poetik. Mjafton të thuhet se rima e tillë vjen natyrshëm, nuk është e rëndësishme nëse autori ka bërë përpjekje të na e sjellë si të tillë, e rëndësishme është si e përjetojmë ne rimën që i jep një ritëm ndryshe vargut dhe poezisë si të tërë; që i jep edhe një dukje a një veshje popullore organizimit të vargut, por gjithnjë si strukturim poetik i mirëfilltë.

You Might Also Like