Kur jeni të bashkuar edhe sukseset nuk mungojnë. Kjo vlen për shqiptarët e Komunës së Kllokotoit , komunë kjo më shumicë të popullsisë serbe. Shqiptarët në Kllokot ndonëse nuk po arrijnë ta marrin drejtimin e komunës pasi janë komunitet pakicë në këtë komunë, së paku janë të kënaqur me përfaqësimin që kanë siguruar nga zgjedhjet e 22 tetorit. Ata kanë arritur t’i fitojnë pesë vende në Kuvendin e Komunës dhe do të përfaqësohen më mirë në Kuvendin Komunal gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës.
Në këto zgjedhje lokale, sipas rezultateve zyrtare të KQZ-së, për dallim nga mandati i kaluar, që shqiptarët e kësaj komune përfaqësoheshin me 4 asamblistë, në këtë mandat do të jenë të përfaqësuar më pesë këshilltarë komunal shqiptarë, të cilët kanë marrë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e legjislaturës së re komunale.
Gjithashtu, komunitetit shqiptarë në këtë komunë me shumicë serbe do t’i takoj edhe pozita e Zv. Kryesuesit për komunitete, ku sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale dhe rezultatit zyrtar të zgjedhjeve lokale do ta udhëheq, Hidajet Ahmeti nga Iniciativa shqiptare për Kllokotin i cili ka mbledhur 318 vota.
Mbështetur në Ligjin për vetëqeverisje lokale, Kllokoti në Kuvendin komunal, ku komuniteti serb është shumicë, përbëhet nga 15 asamblistë të të gjitha komuniteteve.
Kujtojmë se ishin 5 kandidat për kryetar komune në Kllokot. Por, vetëm dy do të shkojnë në balotazh. Strahinja Spasiç nga Lista Serbe që ka marrë 857 vota dhe Bozhidar Dejanoviq, nga Iniciativa Qytetare në Kllokot./Aziz Zuka