Gjilan, 27 shtator 2023 – Në prag të premierës së shfaqjes “Kopshti i Hijeve”, në teatrin e Gjilanit është mbajtur një konferencë për media, në të cilën janë prezantuar kryetari i Komunës, Alban Hyseni, drejtori i Teatrit të qytetit në Gjilan, Erson Zymberi, autorja dhe dramaturgia, Sarah Hehir, regjisorja Nastazja Domaradzka, aktorët Kushtrim Qerimi, Emine Toska e Fitore Jashari dhe bashkëpunëtori artistik, Burim Baftiu.
Drejtori i teatrit të qytetit, Erson Zymberi, pasi ka ftuar të gjithë artdashësit që të vijnë për ta parë këtë shfaqje sonte, e ka falënderuar kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, për përkrahjen ndaj politikave kulturore, e ndaj teatrit në veçanti.
“Kopshti i hijeve është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit. Shfaqja tregon historinë e familjes Bogujevci, fëmijët e parë që dëshmuan në një gjykatë për krimet e luftës. Kjo gjykatë i jep formë narrativës në ndryshim, duke rrëshqitur mes kohës, vendit, realitetit dhe imagjinatës. Kopshti i hijeve ekziston në skenë si një botë paralele e kujtesës dhe së ardhmes alternativ”, është shprehur Zymberi.
Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, ka përgëzuar këshillin drejtues të teatrit të qytetit e trupën teatrale të kësaj shfaqjejr, duke shtuar se është kënaqësi e veçantë që t’i përkrah projektet e teatrit të qytetit.
“Teatri i Gjilanit, përpos kalendarit të rregullt që e realizon, tashmë është bërë një lloj normaliteti me dhënien e premierave ose prodhimin e shfaqjeve të shumta në qytetin tonë, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe sukseset ndërkombëtare duke qenë njëri nga teatrot më të suksesshëm në vendin tonë. Në shfaqjen “Kopshti i Hijeve”, tregohet një histori e veçantë e cila ka të bëjë me familjen Bogujevci, por që është imazh i luftës e i përpjekjeve tona shekullore për liri e pavarësi”, ka thënë kryetari Hyseni.
Premiera e shfaqjes “Kopshti i Hijeve” jepet sonte me fillim në ora 20:00, në teatrin e qytetit në Gjilan.